Murat Mehmeti, inspektor tatimor. Foto: Kallxo.com

KOSID në Mbrojtje të Kallxuesit Murat Mehmeti

Murat Mehmeti, Shef i njësive të hetimeve në ATK në emisionin “Jeta në Kosovë” për “Vjedhjet e Organizuara Tatimore” tha se menjëherë pas zbulimit të evazionit fiskal për një numër të madh të kompanive në Kosovë, ka pasur presion nga zyrtarë të ATK-së për t’u larguar nga pozita e tij e po ashtu në një takim privat, Zëvendës Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, i kishte kërkuar që të tërhiqej nga departamenti i hetimeve dhe në këmbim të zgjedhë një pozitë në ATK me rritje rroge.

“KOSID i bën thirrje organeve të sundimit të ligjit që të bëjnë gjithçka që duhet për ta mbrojtur kallxuesin Murat Mehmeti dhe ta vënë drejtësinë në vend për aferën korruptive në ATK”, tha ky konsorcium i OJQ-ve.

Sipas KOSID, dërgimi i këtij rasti deri në fund do të thotë angazhim për ta realizuar njërën prej aspiratave të faqes së parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, atë të krijimit të “një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do t’i garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”.

“Në këtë rrugë, secili prej nesh që gjen kurajën për të folur, meriton t’i ketë mbrapa të gjithë në mbrojtje të tij”, tha KOSID.

KOSID-i me anë të një deklarate, ka thënë se shprehin solidarizimin me Mehmetin dhe me çdo kallxues tjetër të korrupsionit.

“Ne si organizata të shoqërisë civile kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të preokupuara me nivelin e korrupsionit në Kosovë. Për ta luftuar me sukses këtë fenomen, jemi të bindur që kemi nevojë për njerëz që gjenden brenda sistemit, të cilët janë të gatshëm ta vendosin interesin publik para atij personal. Murat Mehmeti është prej njerëzve që s’ia dolën ta dekurajojnë, s’ia dolën ta ndalin e as s’ia dolën ta heshtin. Zëri i tij ka nevojë të dëgjohet, të përcillet e të mbrohet”, thuhet në njoftimin e KOSID-it.

http://kallxo.com/prokuroria-reagon-pas-emisionit-per-vjedhjen-ne-tatime/

KOSID thotë se lufta kundër korrupsionit shfaq arritjen më konkrete të misionit të shërbyesve civilë, të organizatave joqeveritare dhe të shoqërisë në përgjithësi.

“Murat Mehmeti po mbron parimin e parë të përshkruar në Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, atë të mbrojtjes së ligjshmërisë. Për këtë, i ftojmë institucionet e sundimit të së drejtës që këtë aferë dhjetëra milionëshe ta trajtojnë me prioritet, që në krye të luftimit të saj t’i vënë prokurorët më të zotë dhe që lëndën ta trajtojnë deri në fund”, thuhet më tutje në njoftimin e KOSID-it.

Ky solidarizim i KOSID-it erdhi pas dy episodeve të emisionit “Jeta në Kosovë” për vjedhjet e organizuara tatimore.

http://kallxo.com/inspektori-tatimor-kallxon-per-vjedhjet-tatimore/

Dy emisionet e para të “Jeta në Kosovë” rreth vjedhjes së organizuar tatimore mund t’i shikoni në linqet e mëposhtme: