Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës

Të shtunën në Prishtinë fillon ‘Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës’

Të shtunën me 15 tetor në Prishtinë do të fillojë ‘Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës’ nga KOSID dhe Riverwatch.

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, tema e këtij Samiti do të jetë lumenjtë e Kosovës dhe mbrojtja e tyre.

Dajana Berisha nga KOSID tha se Samiti përkrahet nga organizata të shoqërisë civile në Kosovë dhe nga Presidenca e Kosovës.

“Samiti është i pari i këtij lloji që ndodhë në Kosovë. Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, do të vazhdojmë të trajtojmë çështjen e lumenjve edhe gjatë viteve të ardhshme, njëjtë siç kemi bërë për problemin e thëngjilli” – tha Berisha për KALLXO.com.

Ndërsa Shpresa Loshaj, aktiviste për mbrojtjen e ambientit tha se ky është një hap tejet i rëndësishëm në organizimin formal të lëvizjes së mbrojtjes së lumenjve.

Ajo shtoi se nën ombrellën e Samitit po bashkohen të gjithë aktivistët dhe aktorët tjerë që kanë interes për mbrojtjen e lumenjve të Kosovës.

“Në çdo vend demokratik, shoqëria civile ka rol kyç në ngritjen e vetëdijes në mbrojtje të mjedisit. Në Kosovë ky rol është bërë edhe më i rëndësishëm, duke pasur parasysh që institucionet publike jo vetëm që kanë dështuar në mbrojtje dhe vetëdijesim, por janë bërë edhe bashkëpunëtorë të shkatërruesve nëpër forma të ndryshme” – tha Loshaj për KALLXO.com.

Loshaj, ditë më parë ka bërë të ditur se kompania ‘Kelkos Energy’ është nominuar për ‘The Corporate Bully of the Year’, për padinë SLAPP që ia kishte bërë Loshajt dhe aktivistit tjetër, Adriatik Gacaferi.

Në vitin 2020, Kelkos kishte ngritur padi për shpifje duke kërkuar 10 mijë euro nga Adriatik Gacaferri. Ndërsa në 2021 kishte ngritur po ashtu padi ndaj Shpresa Loshajt, duke kërkuar 100 mijë euro për prentendimin se iu është “dëmtuar reputacioni”.

Loshaj dhe Gacaferri kanë qenë dy nga aktivistët më të zëshëm kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

Në këtë Samit do të flasë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre në rastet e degradimit në lumenjtë e Kosovës.

Samitit i paraprin shfaqja e filmit ‘River’ të premten me 14 tetor me fillim nga ora 19:00, ndërsa të shtunën Samiti fillon nga ora 10:00, në ‘Shtëpia e Shoqërisë Civile’, e cila gjendet në lagjen ‘Lakrishte’, rezidenca ‘Dukagjini’.

Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës