Rrëfimi i aktivistit nga Shqipëria – Si e mbrojtëm lumin Vjosa nga degradimi?
Aktivisti Olsi Nika nga Shqipëria ka rrëfyer historinë se si ai bashkë me qindra aktivistë të tjerë arritën që ta mbrojnë lumin Vjosa në Shqipëri nga degradimi, i cili është i vetmi lum i egër i mbetur në Evropë.
Duke folur në ‘Samitin e lumenjve të Kosovës’, Nika foli për suksesin e arritur duke thënë se kjo është bërë për shkak të qasjes pozitive që kanë pasë.
“Suksesi i Vjosës ka qenë se në kohën kur ne kemi punuar në Shqipëri, ka pasur raste të tjera mjedisore, në gjykimin tim, nuk kanë qenë aq pozitive sa duhet. Edhe protestat që bënim, jemi munduar që mesazhin ta japim përmes të bukurës dhe e bukura të mbrohet” – ka thënë Nika.
“Patjetër, ne ia kemi dalë që të ndalim disa hidrocentrale, ajo që është interesante është se ne ia kemi dalë që të ndërrojmë një mendësi. Edhe të shoqërisë, që reagojnë kur dëgjojnë për hidrocentralet, por edhe të vendimmarrësve” – tregon ai.
Tutje, Nika ka thënë se në vitin 2022 Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim që lumi Vjosa të jetë park natyror, ndërsa sipas tij, ka marrë premtimin që deri në fund të vitit të shpallet edhe park kombëtar.
“Në vitin 2022, pasi që ne kemi dërguar peticione, qeveria ka marrë vendim që Vjosa të jetë park natyror, që përfshin lumin dhe gjysmën e degës më të madhe, Drinit. Për ne ka qenë e pamjaftueshme për të mbrojtur Vjosën, jemi angazhuar me partner të tjerë, që të ndërmarrim një fushatë përpara fushatës elektorale. Ka qenë një fushatë publike me intensitet të lartë, praktikisht Vjosa është artikuluar nga kandidatët për kryeministër dhe qeveria, mendoj që është një hap përpara për shpalljen e Vjosës, park natyror” – ka rrëfyer Nika.
Sipas tij, për rastin e lumit Vjosa, ka qenë e vështirë tërheqja e vëmendjes për mediat vendore, kurse në ndërkohë është arritur të merret vëmendja e mediave ndërkombëtare.
Nika ka thënë se shpallja e lumit Vjosa park kombëtar në letër, është dyfish i punës së asaj se çka është bërë deri më tash, pasi sipas tij, duhet punë që të zbatohet edhe në praktikë.
Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë po mbahet ‘Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës’, me temën lumenjtë dhe mbrojtjen e tyre.