Në Prishtinë po mbahet Samiti i Parë për Lumenjtë e Kosovës

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë po mbahet Samiti i Parë për Lumenjtë e Kosovës me temë “Lumenjtë dhe mbrojtjen e tyre”.

Dajana Berisha nga KOSID në fjalën hapëse tha se jemi në një moment kur në Kosovë shumica e lumenjve janë të ‘okupuar’ për të prodhuar energji.

“Lumenjtë bashkojnë dhe ky është mesazhi që përçojmë te ju. Jemi në një moment kur shumica e lumenjve në Kosovë janë të okupuar për të prodhuar energji elektrike. Rritja e shpejtë e operatorëve ekonomik ka shkaktuar jo vetëm degradimin e lumenjve, por ka cenuar standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Ndërtimi i hidrocentraleve duke mos respektuar ligjet në fuqi, ka ndikuar drejtpërdrejt negativisht në menaxhimin e burimeve hidrike” – ka thënë Berisha.

“Kemi të bëjmë me një mënyrë të planifikuari jo të drejtë dhe koherente se çka ndodhë në teren. Kosova përballet me stres të ujit, me institucione të reja dhe fragjile kur bie puna për menaxhimin e projekteve” tha tutje ajo.

Në këtë Samit do të flasë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre në rastet e degradimit në lumenjtë e Kosovës.