Propozohet që hidrocentralet e vogla të ndalohen me ligj

Juristi dhe anëtari i ‘Avokatët e Lumenjve’, Rinon Arifi, ka thënë se ekziston mundësia që hidrocentralet e vogla nën 10mW të ndalohen me ligj, për shkak se funksionimi i tyre më shumë është i dëmshëm, se i dobishëm.

Duke folur në ‘Samitin e Lumenjve të Kosovës’, Arifi tha se në Kosovë ka shumë ligje për mjedisin, por mungon zbatimi i tyre.

“Ka shumë ligje, sidomos në fushën e mjedisit, por zbatimi i tyre në teren është i kundërt. Aktualisht është duke u punuar në një draft ligj të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, që garanton që Raportet e vlerësimit sidomos te hidrocentralet të kenë kualitet më të mirë” – ka thënë Arifi.

“Mirëpo është një problem i madh me këtë ligj, është një dispozitë ligjore jashtëzakonisht problematike, ai thotë se debati publik konsiderohet i dështuar vetëm nëse nuk merr pjesë hartuesi i raportit dhe përfaqësuesi i ministrisë, e anashkalon publikun tërësisht”.

Arifi ka thënë se përmes ‘Strategjisë për energji’ që aktualisht është duke u hartuar, ekziston mundësia që nga aspekti ligjor të përjashtohen hidrocentralet e vogla.

“Është drafti për Strategji në energji që është duke punu, janë dorëzu komentet, mundësia jonë e vetme për me përjashtu në aspektin ligjor hidrocentralet e vogla, është nëse e përfshinë këtë dokument si strategji afatgjatë. Dhe me vazhdu me kërkua që nga Ligji për Energjinë me u përjashtu hidrocentralet, sepse nuk ka dobi hiq” – ka thënë Arifi.

Ndërsa Dajana Berisha nga Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm (KOSID), ka thënë se në ka kondradiktë në mes të ligjeve në Kosovë.

“Në vitin 2020 KOSID ka prodhuar një dokument ‘Shkeljet ligjore që po na thajnë lumenjtë’. Dhe këtu kemi kontradiktë, ligjet që të qojnë drejt shkeljeve. Kemi të bëjmë me ligje kontradiktore, kemi të bëjmë me mungesë të harmonizimi ndërmjet një numri të ligjeve të Kosovës, në sektorin e burimeve hidrike” – tha Berisha.

Tutje, po ashtu Berisha shtoi se ka një arrogancë nga institucionet qendrore dhe lokale, në raport me qytetarët.

“Institucionet tona janë arrogante në raport me qytetarët, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror. Nëse flasim për projekte zhvillimore, qytetarët e gëzojnë të drejtën që të jenë bashkëpronar të komponentës së zhvillimit, në asnjë rast kjo nuk ka ndodhur në Kosovë. Këto janë standard që Kosova i ka miratuar si shtet, janë pajtu që do të zbatohen. Ka një përjashtim absolut të komuniteteve lokale për diskutimet strategjike, në diskutime të strategjisë së energjisë” – ka thënë Berisha.

Nën organizimin e KOSID (Konsorçiumi kosovar i shoqërisë çivile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverëatçh, në Prishtinë po mbahet Samiti i Parë për Lumenjtë e Kosovës, me temën “Lumenjtë dhe mbrojtjen e tyre”.