Konferencë e BIRN-it për Ndjekjen e Krimeve të Luftës

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese do të organizojë një konferencë rajonale të enjten në të cilën prokurorë dhe ekspertë do të diskutojnë progresin dhe vështirësitë në ndjekjen penale të krimeve të luftës në vendet e ish-Jugosllavisë.

Prokurorë, ekspertë dhe gazetarë nga e gjithë ish-Jugosllavia do të marrin pjesë në një konferencë të organizuar nga BIRN-i të titulluar “Ndjekja Penale e Krimeve të Luftës dhe Bashkëpunimi Rajonal” në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, të enjten.

Prokurorë që zakonisht debatojnë me dyer të mbyllura, do të flasin për sfidat që hasin në ndjekjen penale të krimeve të luftës, ndikimin politik në punën e tyre dhe si të përmirësojnë ndjekjen penale të krimeve të luftës në vitet në vazhdim, sidomos pasi vitin që vjen Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, mbyll dyert e saj.

Shumica e zyrave të prokurorive të krimeve të luftës në rajon kanë protokolle bashkëpunimi, por ato ende refuzojnë të ekstradojnë kriminelë lufte në vendet e njëri-tjetrit, gjë e cila shpesh vonon hetimet dhe ndjekjet penale të krimeve të luftës.

Paneli i parë dedikuar bashkëpunimit rajonal në ndjekjen penale të krimeve të luftës do të përfshijë Gordana Tadiqin zëvendëskryeprokuroren në Departamentin Boshnjak të Prokurorisë së Krimeve të Luftës, Lidija Vukceviqin, prokuroren speciale në Zyrën e Prokurorit Special të Shtetit në Mal të Zi, Jasmina Dolmagiqin zëvendëskryeprokuroren e shtetit në Kroaci, Kevin Hughes-in, këshilltarin ligjor të kryeprokurorit të ICTY-së, Charles Hardaway-in, prokurorin në sektorin e krimeve të luftës në EULEX, Misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë dhe Francesco de Sanctis-in, kreun e sundimit të ligjit në misionin e OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Paneli i dytë do t’i përkushtohet procesit të drejtësisë tranzicionale në rajon dhe gjendjes aktuale kur vjen puna te strategjitë që qeveritë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë e Serbi janë zotuar se do të miratojnë për t’u marrë me krimet e luftës.

Deri më tani, Bosnjë dhe Hercegovina e Kosova thjesht kanë hartuar strategji për drejtësinë tranzicionale, por ende nuk i kanë miratuar ato. Ndërkohë, Serbia ka miratuar vetëm një strategji kombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Paneli i titulluar “A janë Strategjitë e Drejtësisë Tranzicionale një Mënyrë për të Ecur Para?” do të përfshijë Ivan Jovanoviqin, një ekspert të së drejtës ndërkombëtare humanitare, Goran Simiqin, një profesor  të së drejtës penale dhe drejtësisë tranzicionale në Universitetin e Sarajevës, Nenanja Stjepanoviqin nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, Dzenana Karup Druskon nga Shoqata për Drejtësi Tranzicionale, Përgjegjësi dhe Kujtim me bazë në Sarajevë dhe Teuta Hoxhën nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Përveç ekspertëve dhe prokurorëve, 20 gazetarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të marrin pjesë në konferencë. Pas konferencës, gazetarët do të kenë një kurs dyditor trajnimi që synon të rrisë aftësitë e tyre në raportimin e drejtësisë tranzicionale.

Si pjesë e konferencës dhe seancës së trajnimit, BIRN-i do të prezantojë edhe Hartën e tij të Vendimeve të Krimeve të Luftës – një mjet interaktiv që synon të sigurojë një pasqyrë të plotë të vendimeve gjyqësore për krimet që janë kryer gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet ‘90.

Me një total prej 386 vendimesh, ajo përfaqëson një bazë unike të dhënash, vendimesh përfundimtare të dhëna nga gjykatat kombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi.

Ajo përfshin gjithashtu vendime të dhëna nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Konferenca dhe seanca e trajnimit janë pjesë e nismës së Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN-it, themeluar nga Komisioni Evropian, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe Fondacioni “Robert Bosch Stiftung”.

Projekti synon të përmirësojë të kuptuarit e publikut të gjerë të çështjeve të drejtësisë tranzicionale në vendet e ish-Jugosllavisë – Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.