Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Komuna paguan 5,700 euro për kaldanë që nuk u vendos në shkollë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në shkollën fillore në fshatin Loposhnik të Komunës së Dragashit nuk ishte vendosur kaldaja siç ishte parashikuar me kontratë.

Bazuar në raportin e pranimit të punimeve të datës 19 dhjetor 2018, i vërtetuar nga menaxheri i kontratës, brenda kësaj paramase dhe parallogaritje ishin të përfshira edhe pozicioni i sistemit të kaldajës në vlerë prej 5,700 euro.

Gjatë ekzaminimit fizik me prezencën edhe të zyrtarit komunal, Auditori ka konstatuar se kaldaja nuk ishte e vendosur në shkollë për shkak të mungesës së kaldatores që duhet të ishte një aneks i veçantë i shkollës për qëllim të vendosjes së kaldajës.

Në raport thuhet se kaldaja ende qëndron në ambientet e kontraktorit në një lokacion tjetër dhe ne bashkë me zyrtarin komunal e kanë bërë verifikimin fizik të saj.   

Projekti “Ndërtimi i Shkollës Fillore në Loposhnik”, është realizuar në vlerë totale prej 305 mijë euro.

Prej tyre 16,419 euro kanë qenë aneks kontratë, kurse kontrata bazë ka qenë 288,581 euro.  

“Planifikimi i dobët në realizimin e projektit mund të shkaktojë vështirësi në shfrytëzimin e projektit”, theksohet në raportin e auditimit.

Aneks-kontrata është bërë me procedurë të negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar më 5 korrik 2018. Kurse njoftimi për nënshkrimin e kontratës është bërë më 9 korrik 2018.  

Kompania e përzgjedhur për realizimin e këtij projekti është N.N.P “EBK”Vlera e kësaj aneks kontrate është 16,419 mijë euro. 

Edhe pronari i kësaj kompanie, Flamur Shefiku ka thënë se kaldaja nuk është vendosur në shkollë për shkak të mungesës së kaldatores Por ai ka shtuar se tashmë tenderi për ndërtimin e kaldatores për këtë shkollë është hapur dhe se shumë shpejtë kaldatë do të vendosen në vendin e tyre.

“Dy kaldaja kanë pas me u vendos në shkollë, shkolla nuk ka pas kaldatore, nuk ka parapa kaldatore ndërkohë që kaldajat për shkak të buxhetit i kanë parapa me i ble, ne i kemi marrë kaldajat edhe i kemi dërgu në shkollë por shkolla është e parrethuar e kaldaja është material shumë i shtrenjtë, dy kaldaja bëjnë diku 7 mijë euro. Ne me propozimin e organit mbikëqyrës i kemi vendos kaldajat me një objekt tjetër edhe kur ka ardhë Auditori nuk i ka gjet në oborrin e shkollës, e ato kanë qenë në një vend ku janë edhe sot. Kur doni me ardhë me i pa mundeni, ato janë aty. Sa për informacion, para disa ditëve ka dalë tenderi për ndërtimin e kaldatores së asaj shkolle kur të ndërtohet ajo, kajdajat vendosen brenda”, ka shpjeguar Shefiku për Kallxo.com.

Sipas Auditorit, mangësitë e identifikuara kanë rezultuar me mos respektim të procedurave të prokurimit sipas Udhëzimit Operativ të LPP-së.

Në raport thuhet se Komuna nuk ka arritur të përmbush objektivat e planifikuara të infrastrukturës në shërbim të taksapaguesve apo kthimin e kundërvlerës për taksen e paguar të qytetarit të Dragashit. Më tej theksohet se zhvillimi i procedurave të prokurimit pa një projekt të hartuar paraprakisht mund të ndikoj që punimet e zbatuara në këto projekte të devijojnë nga kërkesat standarde të ndërtimit dhe të mos arrijnë cilësinë e duhur.

“Kryetari duhet të sigurojë se të gjitha zotimet e kontraktuara janë duke u realizuar në përpikëri dhe komfor kushteve të parashtruara, duke eliminuar pengesën para hyrjes në marrëveshje kontraktuese. Nëse përjashtimisht paraqitet nevoja për ndërprerje të kontratës duhet të ndiqen procedurat e nevojshme sikurse është paraparë me Ligjet dhe Udhëzimet në fuqi. Gjithashtu duhet të siguroj se hartimi i projekteve ekzekutive i paraprinë inicimit të aktiviteteve të prokurimit te kontratat për punë sipas kërkesave të UA nr. 1/2014”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e auditimit për vitin 2018.