Komuna e Prishtinës i jep në shfrytëzim pronën AUK-ut edhe për 50 vjet

Komuna e Prishtinës dhe Universiteti Amerikan i Kosovës (RIT Kosova) kanë nënshkruar marrëveshje për dhënie në shfrytëzim të objekteve të kampusit në Gërmi edhe për 50 vitet e ardhshme.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte qenë pjesë e stafit akademik të Universitetit Amerikan (AUK).

Ky universitet i kishte uruar Ahmetit zgjedhjen në krye të Komunës në vitin 2013.

Aty thuhet se Ahmeti kishte filluar punën në këtë universitet në vitin 2005.

Propozim-vendimi për dhënie në shfrytëzim të objekteve në Gërmi është shqyrtuar në mbledhjen e dhjetë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të mbajtur në fund të muajit tetor të vitit 2018.

Me 33 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar propozimin për dhënien në shfrytëzim deri në vitin 2068 të pronës komunale në kampusin e Gërmisë.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, kur u miratua propozimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për AUK-un, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli propozoi që ky institucion arsimor të kushtëzohet me dhënie të bursave për studentët e Prishtinës.

“Meqë po jepet për 50 vite, së paku është propozim i imi që ne të kërkojmë si institucion arsimor që së paku që ndonjë student të familjeve të dëshmorëve ose dikujt t’i jepet ndonjë bursë, t’i kushtëzoni me 2, 3, 5 studentë në vit që t’i marrin”, tha Pacolli.

Shefi i asamblistëve të LDK-së, Agim Gashi, deklaroi se nuk duhet të kushtëzohet me bursa dhënia e pronës në shfrytëzim për AUK-un por të ketë një marrëveshje shtesë për këtë.

“Propozimi i nënkryetarit, mendoj se mund ta realizoni përmes bashkëpunimit permanent me institucionin, me një marrëveshje shtesë por jo të kushtëzohet me dhënien në shfrytëzim të pronës edhe ashtu ai institucion ka bursu studentë, nuk e di në çfarë përmasa, por e di që shumë studentë aty kanë përfituar bursa për çdo vit. Jo t’i kushtëzojmë se neve amerikanë nuk na kanë kushtëzuar kurrë e gjithmonë na u kanë gjetë afër si shqiptarë”, deklaroi Gashi.

Vala Peshku nga PSD theksoi se kryetari i Komunës së Prishtinës mund t’i shfrytëzojë lidhjet për ndonjë marrëveshje me AUK-un për përkrahjen e studentëve të Prishtinës me bursa.

“Kur ka ardhë propozimi në fillim kam mendu që AUK ose RIT është organizatë profitabile por më vonë kam lexu edhe kam pa që këta janë organizatë joprofitabile dhe të gjitha raportet e auditimit i kanë të paraqitura në faqen e tyre edhe shihet. Unë besoj që për lidhjet që i ka kryetari dhe nënkryetari i komunës me këtë institucion mund të shohim për ndonjë marrëveshje në të ardhmen për përkrahjen e studentëve të Prishtinës me disa bursa, po unë shumë besoj që kjo mund të arrihet pa kushtëzim”, tha Peshku.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi tha që AUK-u është përfitues publik sipas ligjit dhe nuk gjeneron profit. Si propozim Azemi tha që mund të jetë që biblioteka e AUK-ut të mund të shfrytëzohet edhe nga studentët e UP-së.

“AUK është fondacion që sipas ligjit në fuqi gëzon statusin e përfituesit publik e si rrjedhojë e kësaj nuk lejohet gjenerimi i profitit. Nëse AUK ka bilanc pozitiv detyrohet që sipas ligjit ta përkthejë në bursa për studentë. Konsiderojmë t’i dërgojmë disa rekomandime AUK-ut. P.sh. biblioteka e AUK duhet të jetë e qasshme për të gjithë studentët e Prishtinës dhe si Kuvend mund të bëjmë kërkesë që të jepen edhe 20 bursa më shumë , 5 për familje të dëshmorëve dhe 15 familjarë të rasteve sociale. Këto mbeten vetëm si rekomandime. Ne parimisht e përkrahim”, u shpreh Azemi.

Gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal të Prishtinës ishte prezente edhe presidentja e AUK, Sharon Hart.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të RIT Kosova (AUK), Ron Cami, i shprehu falënderimin e tij Kuvendit Komunal të Prishtinës për mbështetjen e vazhdueshme për një prej institucioneve më të rëndësishme akademike në Kosovë.

“Ne e marrim këtë besim jashtëzakonisht seriozisht dhe jemi të përkushtuar që të ofrojmë arsim cilësor amerikan për studentët nga Kosova dhe bota përmes programeve dhe kurrikulave inovative, eksperimentale dhe kërkimore në një kulturë dhe ambient ku studenti është në fokus. Studentët tonë fitojnë ekspertizë, njohuri dhe vlera që i përgatisin ata për të kontribuuar në shoqërinë e Kosovës dhe atë globale”, tha ai.

Më 2004, RIT Kosova (AUK) u vendos në kampusin e Gërmisë, në objektin e ish Shkollës Normale, pas mbështetjes së Komunës së Prishtinës, Fondacionit Behgjet Pacolli, dhe Grupit Mabetex që rindërtoi dy objektet kryesore. Që atëherë, mijëra profesionistë të rinj, nga mbi 20 shtete të ndryshme, kanë fituar diplomat e tyre nga RIT Kosova (AUK).

“Kjo arritje do të jetë një shtysë për zhvillimin e mëtejmë të RIT Kosova (AUK), duke i mundësuar institucionit që të ofrojë programe të reja dhe të zgjerojë kurrikulat aktuale për t’i përmbushur nevojat e tregut në Kosovë dhe rajon”, thuhet në njoftimin e AUK.

Si hap i parë, AUK planifikon të ndërtojë një hapësirë bashkëkohore studimi ku studentët do të mund të mësojnë, bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë ide mes tyre. Përveç kësaj, AUK planifikon të ndërtojë një qendër rekreative dhe një konvikt të studentëve.