Komiteti Ndërministror aprovoi verzionin final të 'Autostradës së Dukagjinit'

Komiteti drejtues ndërministror për zhvillimin e projektit “Autostrada Istog-Peje-Deçan-Gjakovë – Prizren”, ka shqyrtuar dhe miratuar propozimin për variantin final të këtij projekti.

Përzgjedhja e këtij varianti  të Autostradës së Dukagjinit, vjen pas dëgjimeve publike të realizuara me qytetarët e të gjitha komunave që i përshkon ky projekt.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, kryesues i këtij komiteti, theksoi rëndësinë e këtij vendimi i cili i hapë rrugë projektimit të detajuar. Mes të tjerash shtoi se më këtë autostradë, Kosovës i hapet perspektivë më e madhe me krijimin e lidhjeve me korridoret pan evropiane.

Anëtarët e komitetit diskutuan edhe për të tjera aspekte të ecurisë së realizimit të këtij projekti, ndërsa u shprehën të kënaqur me procesin e deritanishëm.

Në anën tjetër, Banorët e komunës së Rahovecit kanë arritur të mbledhin mbi 3000 nënshkrime për dy ditë, për të kundërshtuar Variantin 6 të ndërtimit të “Autostradës së Dukagjinit”.

Sipas tyre, varianti i prezantuar nga Qeveria përveç se dëmton lumin Drin, gjithashtu i lë mbi 90% të fshatrave të Rahovecit me qasje të vështirë në autostradë.

Këshilli i banorëve të Rahovecit, i formuar për të kundërshtuar këtë autostradë, gjithashtu thonë se shumica e fshatrave të komunës, do ta kenë mbi 25 kilometra larg kyçjen më të afërt për në autostradë dhe se kostoja për ‘Variantin 6’, që e përkrahë edhe kryetari Smajl Latifi, do të kushtojë mbi 65 milionë euro për shpronësimin e tokave.

https://kallxo.com/rahovec-3-mije-nenshkrime-per-dy-dite-per-ta-kundershtuar-autostraden-e-dukagjinit/

.