KOMF: Në Burgun e Lipjanit, Të Miturit dhe të Rriturit në një Vend

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka prezantuar të premten raportin e monitorimit gjashtë mujor mbi ekzekutimin e masave dhe dënimeve për të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Kodi i Drejtësisë për të Miturit (KDM) e ndalon qëndrimin në një mjedis burgu të të miturve dhe të rriturve, pavarësisht se e kundërta ndodh në qendrën e paraburgimit në Lipjan.

Klevis Vaqari, nga KOMF, tha se qëndrimi i të miturave në të njëjtin pavijon me të rriturat është shkelje drastike dhe e drejtave themelore të tyre.

“Qëndrimi në pavijon me të dënuarat e rritura të cilat gjenden aty për vepra penale nga më të ndryshme siç janë prostitucioni, vrasja e të tjera, jo vetëm që e cenon dhe e vë në rrezik serioz rehabilitimin dhe re-integrimin e tyre por edhe e paraqet një rrezik konstant që të shkaktojë dhe regres në zhvillimin dhe aspektin integrues që është një ndër synimet kryesore të Qendrës Korrektuese në Lipjan”, tha Vaqari.

Një nga autorët e këtij raporti, Valdrin Dervishaj, dha vërejtje lidhur me zgjatjen e paraburgimit ndaj të miturve. Ai tha se Qendrën Korrektuese në Lipjan vërehet se afati 6 mujor mund të zgjasë edhe për 6 muaj të tjerë pavarësisht se, sipas tij, praktikave të vendeve me sistem më të avancuar të drejtësisë për të mitur thonë që paraburgimi për këtë kategori duhet të zgjasë maksimum 3 muaj.

“Afati i cili parashihet prej 6 muaj në mundësi zgjatje deri në 1 vit, sipas nesh është praktikë që duhet të rishikohet, sepse është në kundërshtim me rregullat e përgjithshme”, tha Dervishaj.

Gjetjet e raportit përfshijnë periudhën janar- qershor 2016 gjatë të cilës 95 të mitur- 92 meshkuj dhe 3 femra- kanë marrë trajtim në burgun e Lipjanit. Në mesin e tyre 11 kanë qenë të dënuar, 40 me masë edukative korrektuese si dhe 41 të mitur të paraburgosur.

Redaktoi: Përparim Isufi