KMDLNj e quan ofendim mbajtjen e liturgjisë fetare në Kisha Ortodokse serbe në Prishtinë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, e ka parë provokim mbajtjen e liturgjisë fetare të enjten në objektin e papërfunduar të kishës e cila ndodhet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës.

KMDLNj ka tërhequr vërejtjen për këto veprime të kishës ortodokse serbe, sepse sipas tyre, do të provokohen studentët e UP-së.

“KMDLNj e njeh dhe respekton të drejtën e ushtrimit të drejtave dhe lirive fetare për të gjithë besimtarët në bazë të bindjeve dhe vullnetit por e kundërshton manipulimin e fesë për qëllime politike. Rasti i mbajtjes së Liturgjisë në një objekt të papërfunduar dhe me status të parregulluar, KMDLNj e konsideron si provokim”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas KMDLNj-së, ky veprim i kishës ortodokse serbe është bërë për shkak të ndjeshmërisë së situatës politike në Kosovë.

“Kisha Ortodokse serbe, e sigurt se për shkak të ndjeshmërisë së situatës politike në Kosovë askush nuk do të intervenojë e ka keqpërdorur për qëllime politike një aktivitet shpirtëror dhe fetar. Këso aktivitete nuk duhet të lejohen në të ardhmen aq më parë që në Prishtinë dhe rrethinë ka hapësira të mjaftueshme dhe funksionale për ushtrim të aktiviteteve fetare”, vazhdon më tej reagimi.

Klerikë ortodoksë serbë, organizuan liturgji në kishën ortodokse në oborr të UP-së në Prishtinë