Klerikë ortodoksë serbë organizuan liturgji në kishën ortodokse në oborr të UP-së në Prishtinë

Klerikë të Kishës Ortodokse Serbe kanë mbajtur liturgji fetare të enjten në objektin e papërfunduar të kishës e cila ndodhet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës.

Nëpërmes një njoftimi të bërë publik në rrjetet sociale, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit, e ka quajtur këtë si herën e parë që mbahet liturgji në këtë objekt që nga pas lufta. E fundit herë, sipas tyre, ka qenë liturgjia e mbajtur më 1998, ndonëse nuk kanë treguar kohën e saktë të mbajtjës së saj.

Objekti i nisur për Kishë Ortodokse në hapësirat e UP-së, kishte filluar në vitin 1992 në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, e në gurthemelin e saj, ishte bërë publike se kishin marrë pjesë edhe njerëz me të kaluar të rëndë kriminale, siç ishte edhe Zheljko Razhnatoviç i njohur si Arkani. Ky objekt, përkundër që kishte nisur ndërtimin me 1992, nuk kishte arritur të përfundohej asnjëherë.

Peshkopi Teodosije, së bashku me përfaqësues të Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit, thanë në këtë kremtim se janë këmbëngulëse në përpjekjet e tyre për të përfunduar këtë tempull.

“Tempulli në Prishtinë duhet të jetë tempulli i të gjithëve ne, për të na bashkuar dhe për të na bashkuar në paqe, dashuri dhe harmoni. Po, këtu, nga ky vend, ne po dërgojmë një mesazh dashurie dhe paqeje për të gjithë, pavarësisht se kush janë këta njerëz dhe cilat janë qëllimet e tyre. Duke shërbyer sot në këtë tempull, ne dëshmojmë se kush jemi, kush kemi qenë dhe çfarë duhet të jemi në të ardhmen. Ne dëshmojmë se kurrë nuk do të heqim dorë nga shenjtorët tanë dhe se ata na përkasin neve dhe janë një peng i jetës sonë të përjetshme. Megjithëse jemi mbledhur sot në numër të vogël, ne jemi fara për disa të krishterë të ardhshëm dhe disa kohëra më të mira kur ky tempull do të kompletohet dhe do të mbushet me besimtarë”, thuhet në faqen e Dioçezës së Rashkës në Prizren.

Daut Haradinaj: Është shkelje e dinjitetit e ofendim ndaj qytetarëve tanë

Pas publikimit të lajmeve për mbajtjen e kësaj liturgjie, ka reaguar kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj.

Ai këtë kremtë e ka quajtur shkelje të dinjitetit të Republikës së Kosovës dhe ofendim për qytetarët e Kosovës.

“Me gjithë respektin për liritë fetare, liturgjia ortodokse serbe e mbajtur sot në kishën e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kishë kjo e ndërtuar mbi idetë fashiste millosheviqiane, është shkelje e dinjitetit të Republikës sonë e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve tanë. Qeveria dhe Komuna të reagojnë menjëherë!”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

Përndryshe, ka më shumë se tre vite pasi Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar padi në Gjykatë lidhur me një parcelë toke brenda kampusit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Padia e UP-së që u dorëzua në fund të vitit 2017, ka të bëjë me pronësinë e tokës e cila gjendet në Kampusin e këtij Universiteti dhe të cilën e ka momentalisht në pronësi, Kisha Ortodokse “Sveti Nikolla”.

Kujtojmë se në mars të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj Kishës Ortodokse lidhur me pronësinë e tokës.

Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr këtë padi si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq, përkatësisht në seancat që u mbajtën në vitin 2015.

Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015, kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para Kishës Ortodokse që gjendet brenda tokës së kontestuar.

Objekti i pafunksionalizuar që u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit në vitet 1990-ta, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.