Foto: Uran Ismaili/Facebook

Këto janë aksionet e Uran Ismajlit në biznese

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, disa orë më parë bëri publike kandidaturën e tij për kryetar të degës së PDK-së në Prishtinë.

Ai këtë e bëri përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook. Ismaili përveç, pozitës së ministrit, mban edhe pozitën e nënkryetarit të PDK-së.

Mirëpo, Ismaili përveç që merret me politikë, ai merret edhe me biznes.

Në deklarimin e pasurisë së vitit 2018, Ismaili ka deklaruar se posedon 33% të aksioneve në dy kafene në Prishtinë.

Ismaili është bashkëpronar në kafenenë “BonVivant” dhe “Matisse”.

Vlerën e këtyre aksioneve, Ismaili i ka caktuar nga 3 mijë euro.

Përveç kësaj, Uran Ismaili ka deklaruar se posedon 33% të aksioneve edhe në një kompani tjetër “Printques”. Edhe këto aksione, njëjtë si te kafenetë, sipas Ismailit vlerën e kanë 3 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë së vitit 2018, Ismaili kishte deklaruar vetëm 467 euro e 70 centë në bankë.

Ministri Ismaili kishte deklaruar edhe kredi në dy banka. Njëra me vlerë 892 euro, ndërsa tjetra me vlerë 12 mijë e 200 euro.

Në kredi, përveç Ismailit është edhe bashkëshortja e tij. Kredia është me vlerë 20 mijë euro për një pronë në Brezovicë.

Ismaili posedon një banesë në pronësi të përbashkët 151 metra katrorë me vlerë prej 135 mijë euro si dhe bashkëshortja e tij posedon 3 ari tokë me vlerë prej 20 mijë euro.

Pagën vjetore si ministër e merr 15 mijë e 246 euro, ndërsa si këshilltar komunal në Kuvendin e Prishtinës, ai merr 195 euro. Ndërsa nga biznesi i tij, kafeneja “Bon Vivant” Ismaili ka shkruar shumën prej 6 mijë e 214 eurove.