KFOR-i Gjerman i dhuron Kosovës pajisje në vlerë 1.8 milion euro

KFOR-i Gjerman përmes Ministrisë së Financave i ka dhuruar sot Kosovës pajisje në vlerë 1.8 milion euro.

Kjo ka ndodhur pas shndërrimit të Kampit të KFOR-it Gjerman në Prizren në Park Kosovar-Gjerman, Inovativ dhe Trajnues.

Gjatë një vizite në Ministrinë e Financave, përfaqësuesit e KFOR-it Gjerman në Kosovë kanë folur për përkushtimin e tyre për mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes projekteve të ngjashme siç është projekti i Parkut Inovativ dhe Trajnues.

Në këtë takim, ministri i Ministrisë së Financave,  Bedri Hamza, theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane është dëshmi e një bashkëpunimi me sukses në fusha të ndryshme me partner serioz siç është Qeveria Gjermane.

“Jetësimi i projektit të Parkut Inovativ dhe Trajnues është një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit, përmes të cilit pritet të realizohen projekte tejet me rëndësi”, ka thënë Hamza.

Sipas njoftimit nga Ministria e Financave dhurimi i pajisjeve nga KFOR-i Gjerman mundëson që Parku Inovativ dhe Trajnues të fillojë funksionin e tij shumë shpejtë.

Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Gjermane patën iniciuar diskutimet mbi të ardhmen e Kampit Fushor të KFOR-it Gjerman në Prizren, pas largimit të trupave ushtarake nga kampi.