Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Këshilltari i Haradinajt Nuk e Sheh edhe aq Negativ Shkrimin e 'TIME'

Revista e njohur amerikane “Time” ka publikuar një artikull në të cilin ka përmendur pesë gjeopolitikanët më të rreptë që janë më të kërkuarit, të cilët kanë fituar vëmendjen e botës.

Në mesin e kësaj pesëshe është edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përkrah Carles Puigdemonit të Katalunisë, Fethullah Gulenit të Turqisë, Julian Assanget të SHBA-së dhe Mikheil Saakashvilit të Gjeorgjisë.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Erolld Belegu, i ftuar në emisionin “Click” të RTV21 tha se nuk e sheh edhe aq negativ këtë artikull.

“Unë nga krejt kabineti e kam një mendim pak më ndryshe për këtë artikull, nuk e shoh atë edhe aq negativ. Edhe pse tanimë u bë një imazh që me ia gjet Qeverisë edhe një rresht nëse e ka keq, krejt është keq”, tha Belegu.

Ai citoi një pjesë të shkrimit, ku shkruhet se njerëz si Assanget, Puigdemon, Gulen dhe Haradinaj mund të bëhen hero për ata të cilët i kundërshtojnë ata të cilët dëshirojnë t’i arrestojnë.

Me këtë Belegu mendon që “në të gjitha rastet është se për një palë janë hero, për palën tjetër janë kriminel”./21Media