Kërkohet Status Dëshmori për të Vrarët në Demonstratat e Vitit 1981

Organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave të studentëve kosovarë të vitit 1981 thanë sot se kjo lëvizje ishte një “rezistencë gjithëpopullore që lëkundi themelet një shteti artificial” siç ishte federata e atëhershme jugosllave.

Në 35 vjetorin e kësaj ngjarjeje që nisi si rebelim i studentëve në kërkim të kushteve më të mira të studimit, banimit dhe ushqimit u mbajt një konferencë për rolin dhe rëndësinë e këtyre demonstratave.

Por kërkesat e mëtejme në këto demonstrata u transformuan nga ato sociale në politike duke e bërë kërkesën për ngritjen e statusit të Kosovës nga “krahinë autonome” në “republikë” si një nga kërkesat kryesore të saj.

Në këtë ngjarje, pjesëmarrësit e këtyre demonstratave kërkuan që të vrarëve gjatë demonstratave t’u jepet statusi i dëshmorit.

Naim Ramadani, student i asaj kohe, foli për atë së çka kishte përjetuar në atë kohë, sa ishte organizues i protestës në Ferizaj për të përkrahur protestën e studentëve në Prishtinë.

“Më 4 mars të vitit 1981 studentët filluan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre, mirëpo kjo demonstratë ishe një shkëndijë për të legjitimuar të drejtën e shqiptarëve për Kosovën e pavarur”, tha Ramadani.

Gani Krasniqi, ish i burgosur politik si një nga organizatorët e atëhershëm të demonstratës, e kujtoi atë si një kërkesë legjitime për kushte më të mira sociale.

“Demonstrata e vitit 1981 do të konsiderohen se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Në to, në forma të ndryshme, mori pjesë i gjithë populli shqiptar (i Kosovës)”, tha Krasniqi.

Gjithashtu, ai kujtoi se kjo demonstratë ishte ngritja e vetëdijes politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe lëvizjes kombëtare për liri, për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë.

Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të atij viti, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve nga ish-RSFJ.

http://kallxo.com/kerkohet-statusi-i-deshmorit-per-viktimat-politike-jugosllave-ne-kosove/