Dushko Arsiq dënohet me 13 vite burgim për krime lufte në Kosovë

Dushko Arsiqit i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc të Prishtinës, në periudhën janar-qershor të vitit 1999 u gjet fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe u dënua me 13 vite burgim.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u bë nga gjyqtari Vesel Ismaili në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Dosja e prokurorisë thotë se grupi ku ishte pjesëtar Arsiq fillimisht kishin plagosur e vrarë viktima, në mesin e të cilëve i ndjeri Brahim Shala i cili u vra me pushkë automatike e më pas për bartjen e trupit të tij e urdhëruan Artan Krasniqin atë kohë 15-vjeçar.

Në seancën e shpalljes ishte prezent vet i dëmtuari Artan Krasniqi.

Arsiq akuzohej se duke qenë pjesë e policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka maltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin.

“Pas goditjes të të akuzuarit i dëmtuari bie në tokë pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kshtu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gje je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”- përshkruhet në dosjen e prokurorisë.

E gjithë kjo prokuroria pretendon të jetë kryer në vendin e njohur si “Varrezat e maqedoncve” në fshatin Butovc.

Arsiq nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzat e ngritura nga prokuroria.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës, më saktësisht në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Në këtë gjykim ishte dëgjuar edhe Gani Krasniqi – babai i të dëmtuarit Artan Krasniqi, i cili vazhdoi dëshminë e tij të cilën nuk arriti ta përfundonte në seancën e 7 qershorit pasi ishte alivanosur.

Sipas Krasniqit, Dushko Arsiq ishte personi i cili e ka rrahur djalin e tij dhe i cili kishte vrarë një tjetër person gjatë luftës.

“Qeky është Dushko Arsiqi që e ka vra djalin, që e ka rrehë djalin tem…”-  kishte thënë ai.

I njëjti kishte rrëfyer momentin kur e kishte parë djalin e tij Artan Krasniqi të gjakosur pasi supozohet të ishte rrahur nga forcat serbe gjatë luftës.
“Ka pasur gjakderdhje pa ndërpre prej hundës dhe gojës dhe ka pas gërvishje në fytyrë dhe ballë, me çizme ushtarake e kanë goditur”-  ishte shprehur ai.