Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Anëtari i Vetëvendosjes sot para Gjykatës Speciale

Njëri nga ish-ushtarët e UÇK-së, Gani Krasniqi, sot dhe nesër do të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi më herët kishte marrë ftesën për intervistim.

Ai më herët ka njoftuar se ftesën e ka pranuar më 11 tetor, dhe se më 11 dhe 12 nëntor 2019, në ora 9:00 do të paraqitet pranë kësaj zyre për të dhënë prova, informacione dhe dëshmi.

“Provat, dëshmitë…, motivohen me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse përkufizimi i datave është: 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000! Për t’u përgjigjur pozitivisht, më obligon një pjesë e deputetëve të papërgjegjshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës [..] Natyrisht, ashtu siç e ndjej për nder, që isha pjesë UÇK‐së së Lavdishme, ashtu do të dëshmoj për Luftën e drejtë të saj”, kishte shkruar Gani Krasniqi më 19 tetor kur edhe kishte bërë të ditur se është i ftuari i radhës nga Specialja.

Gani Krasniqi- Vetevendosje

Ndryshe, Gani Krasniqi në vitin 1998 është angazhuar në Këshillin Financiar, me seli në Malishevë, për ta ndihmuar arsimin në Kosovë.

Pas përgatitjeve të para ushtarake, si drejtues i kësaj zone, ka ndihmuar në themelimin e celulave të para të UÇK-së dhe në formimin e Shtabit të Malishevës.

Ndërkohë ftesat nga Specialja po vazhdojnë, dje është bërë e ditur se edhe Rexhep Selimi është ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në cilësinë e të dyshuarit, poashtu edhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Elshani në cilësinë e dëshmitarit.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media