Foto: ZKM

Kurti bashkëbisedim me drejtuesit e demonstratave të 1981 dhe me studentë aty ku nisën ato- në Mensën e Studentëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shënimin e 43-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, që u organizua në Mensën e Studentëve, në Prishtinë, ka deklaruar se pranvera e atij viti vazhdon të jetë një gur themeli i shtetit republikan të Kosovës së pavarur.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka mbajtur një bashkëbisedim me ish- të burgosurit politikë dhe studentët që u organizua në Mensën e Studentëve, në Prishtinë.

“Duke kujtuar periudhën e asaj kohe, kryeministri Kurti tha se pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur, por njëkohësisht edhe shembull i zellit studentor, që nuk përfundon me studimet, por vetëm sa nisë me to, meqenëse përfaqëson edhe pjesën më të emancipuar politikisht e kombëtarisht të popullit tonë e të shoqërisë sonë”- thuhet në komunikatë.

Kurti ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit e atyre demonstratave, duke theksuar se gjithçka kishte nisur më 4 mars në Mensën e Studentëve, teksa ka shtuar se “11 marsi që u pasua edhe me 26 marsin dhe 1 e 2 prillin dhe u tronditën themelet e padrejta të Jugosllavisë, që patën për parullë kryesore atë që e kemi thënë të gjithë ne me aktivizmin tonë, pra Kosova Republikë”.

“Nga Kosova Republikë te Republika e Kosovës, kështu pra lidhen brezat e shqiptarëve, të cilën bëjnë betejë të paepur për çlirim e për barazi”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se Kosova e pavarur që sot e gëzojmë në themelet e saj e ka sakrificën e shumë brezave, mundin e shumë gjeneratave, të cilët ne asnjëherë nuk i harrojmë dhe rregullisht i përkujtojmë”- ka deklaruar kryeministri.

Më 04.03.1981 studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më 11.03.1981.

Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.