Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Demonstratat e 81-ës kthesë historike jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë

U.D presidentja, Vjosa Osmani, ka kujtuar 40-vjetorin e fillimit të Demonstratave të studentëve të Kosovës më 11 mars 1981, të cilat filluar në mensën e studentëve në Prishtinë.

“40- vjet më parë, më 11 mars 1981, refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës nga rinia studentore e Kosovës, shënoi fillimin e demonstratave, të cilat ishin kthesë historike jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë”, ka shkruar Osmani në llogarinw e saj nw rrjetin social Facebook.

Ajo shtoi se kjo revoltë “e bukës”, u shndërrua gradualisht në lëvizje rezistence për të drejta përmbajtësore politike për shqiptarët dhe shënoi fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

“Prej këtu, thirrja për Republikë u shndërrua në kauzë jo vetëm për përmirësimin e pozitës politike të shqiptarëve, por edhe për shtetin, të cilin sot e gëzojmë. Ky shpirt studentor, mbajti gjallë përpjekjen për liri e pavarësi, për Republikën, të cilën e bëmë realitet dhe të cilën duhet ta forcojmë edhe më tej”, ka shtuar Osmani.

Ajo shtoi se studentët i kanë paraprirë gjithmonë ndryshimeve në Kosovë.

“Ky ndryshim tashmë është realitet, ndaj sikur dikur kur ishin studentët që na unifikuan në kërkesën tonë për shtet, sot kemi nevojë sërish për një unitet të tillë që ta forcojmë shtetin e Kosovës, ta lartësojmë imazhin e tij dhe ta bëjmë një vend perspektive për rininë tonë”, ka shkruar në fund ajo.

Aktivitete të shumta janë organizuar sot për shënimin e 40 vjetorit të Demonstratave të viti 1981, të cilat pikënisjen e kanë nga protesta e studentëve e 11 marsit të atij viti.

Ceremonia qendrore për shënimin e këtij përvjetori është mbajtur para Mensës së Studentëve të UP-së, në Prishtinë, ku edhe është vënë gurthemeli i ndërtimit të një memoriali për të përkujtuar demonstratat e atij viti.

Shënohet 40 vjetori i Demonstratave të viti 1981