42-vjetori i demonstratave të 81-ës, Kurti takon ish të burgosurit politik

Në 42-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi, kanë vizituar Shoqatën e ish të burgosurve politikë.

Sipas një njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti u mirëprit nga kryetari i shoqatës, Shefik Sadiku dhe anëtarë të kryesisë së kësaj shoqate.

“Në këtë përvjetor të demonstratave që shënuan fillimin e një procesi që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë e deri në çlirimin e vendit, ata kujtuan e rikujtuan ngjarjet dhe rrugën që ato trasuan” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se demonstratat e vitit 1981, që nisën si protestat spontane të studentëve për kushte të dinjitetshme dhe trajtim të barabartë, shpejt morën mbështetjen edhe të punëtorëve dhe mbarë popullit, që së bashku kërkonin liri, drejtësi, të drejta, republikë dhe vetëvendosje.

Në komunikatë u tha Kurti theksoi se forca, guximi dhe organizimi i studentëve, rinisë dhe punëtorëve atëbotë përballë shtypjes së dhunshme dhe padrejtësisë sistematike janë shembull i vetëdijes që duhet ndjekur për çdo ditë dhe përkujtuar për çdo vit.