Foto: Kallxo.com

Kërkohet plotësimi i ekspertizës në rastin e vjedhjes së veturës dhe grabitjes në pompë të benzinës

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës u mbajt shqyrtimi gjyqësor kundër Lorik Beqiraj, Jetmir Ukëhaxhaj dhe Shkumbin Morina të akuzuar për veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe të grabitjes.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jetmir Ukëhaxhaj, avokati Genc Juniku, i propozon gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet masa e paraburgimit, e cila është caktuar deri e datën 2 Korrik 2018 dhe t’i zëvendësohet me ndonjë masë tjetër alternative, pasi që i njëjti gjendet në paraburgim nga 9 dhjetori i vitit 2016.

Këtë propozim për ndërprerjen e paraburgimit të të akuzuarit e kundërshtoi prokurori Ali Uka, me arsyetimin se akoma ekzistojnë arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit.

Në sallë të gjykimit nuk ishin të pranishëm të dëmtuarit Faton Xërxa, Afrim Gjokaj dhe Zgjim Kurti, të cilën nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre në gjykatë.

Zyrtari i Agjencionit të Kosovës për Forenzikë, Avdush Jashari, i cili ishte i thirrur në cilësinë e dëshmitarit deklaroi se sipas urdhëresës së gjykatës ka hartuar një ekspertizë duke bërë një CD.

Kjo ekspertizë ka të bëjë me rezultatet e ekzaminimit të dy telefonave të të akuzuarve Iphone5 dhe Samsung Duo.

Gjyqtari Nikollë Komani do të bëjë një urdhëresë të veçantë të precizuar që sërish të bëhet plotësimi i ekspertizës së kryer, në pamundësi që të shikohen të gjitha konstatimet në CD, diku rreth mbi 2000 faqe.

Në këtë urdhëresë do të precizohen vetëm të dhënat gjatë periudhës kohore prej 1 deri me 8 dhjetor të vitit 2016.

Eksperti Avdush Jashari tha “se kjo gjë është më e lehtë dhe brenda një jave këto të dhëna do të jenë gati”.

Prokurori Ali Uka e pyeti ekspertin se a mund të përcaktohet edhe hartografia e telefonave, por mori përgjigje negative.

“Jo sepse kjo kompetencë është e kompanive numrat e të cilëve janë shfrytëzuar, ndërsa ne përveç ekzaminimit të thirrjeve mund të gjejmë edhe vendin se ku ka qenë i lidhur me wireles personi”, tha ai.

Më pas avokati Genc Juniku propozoi që të bëhet leximi i shkresave të lëndës, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve të bëhet pas plotësimit të ekspertizës.

Mbrojtësja e të akuzuarit Loqik Beqiraj, avokatja Fehmije Zhubi, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Morina, avokati Masar Vula, u pajtuan që mbrojtja të jepet pas rezultatit të plotësimit të ekspertizës.

Pas kësaj gjyqtari i rastit caktoi shqyrtimin për 16 dhe 17 korrik, ndërsa lidhur me kërkesën e mbrojtësit Genc Juniku për ndërprerjen e paraburgimit të të akuzuarit Jetmir Ukëhaxhaj tha se do të vendosë me vendim të veçantë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit me datën 2 dhjetor të vitit 2016, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm pasi që ishin marrë vesh mes vete dhe kanë ndarë rolet, të njëjtit i marrin pasurinë e të dëmtuarit Faton Xërxa.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Lorik Beqiraj, e kishte huazuar një automjet të tipit “Tojota” dhe bashkë me dy të akuzuarit tjerë kishin shkuar tek autolimari “Driloni”-pronë e Fatos Xërxës.

Ata më pas, gjithnjë sipas aktakuzës, duke përdorur forcën kishin hapur dyert e punëtorisë dhe kishin marrë automjetin e tipit “Mercedes A-Klas” me tabela gjermane, i cili ishte në riparim dhe më pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarit në vlerë prej 4,000 Euro.

Në aktakuzë sqarohet se i njëjti automjet është gjetur nga ana e policisë dhe është sekuestruar.

Aktakuza e Prokurorisë më tutje shpjegon se më 3 dhjetor të vitit 2016, të akuzuarit nën kanosjen e armës dhe të maskuar kishin marrë pasurinë e të dëmtuarit Zgjim Kurti, punëtor në pompën e derivateve “Petroll Company” në Gjakovë.

Paratë sipas aktakuzës, iu kërkuan Zgjim Kurtit nga njëri nga të pandehurit nën kërcënimin e armës, ndërsa i dëmtuari për këtë arsye ishte detyruar t’u japë shumën prej 220 eurove.

Të akuzuarit pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur.

Me këto veprime dyshohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe veprën penale të grabitjes.

https://kallxo.com/mungojne-te-akuzuarit-per-grabitje-ne-piken-e-derivateve/