Kuvendi i Kosovës | Foto: Atdhe MUlla

KDI: Kuvendi në sesionin pranveror, i paorganizuar dhe me mungesë të kuorumit

Instituti Demokratik i Kosovës, ka paraqitur të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit të Kosovës, përgjatë sesionit pranveror të vitit 2018.

Artan Murati nga ky institut, ka bërë të ditur se në këtë sesion Kuvendi ka qenë i paorganizuar, me mungesa të theksuara të kuorumit fizik dhe për pjesëmarrje në votime.

Ai shtoi se këtë vit, parlamenti ka mbajtur 27 seanca, 20 prej të cilave kanë shkuar në vazhdime, si dhe ka pasur raste kur një seancë është përfunduar pas tre muajve.

“Shpeshherë është thirrur seanca nuk ka përfunduar dhe është thirrur seancë tjetër, kështu Kuvendi e ka humbur organizimin. Gjatë kohës kur është dashur të mbaheshin seancat, janë thirrur edhe mbledhje të komisioneve parlamentare. Gjithashtu plani i punës së agjendës legjislative është publikuar me tre muaj vonesë”, tha Murati.

Sa i përket projektligjeve, KDI konstaton se gjatë kësaj periudhe kanë qenë të përfshira 135 projektligje.

“Agjenda legjislative e Kuvendit është ndërtuar mbi planin legjislativ të Qeverisë dhe përfshin 135 projektligje, 22 nga të cilat janë bartur nga viti i kaluar. Në ndërkohë, agjendës legjislative i janë shtuar edhe 13 projektligje të tjera që më herët nuk kanë qenë të parapara, duke rritur numrin në 148 projektligje të planifikuara për shqyrtim këtë vit. Për sesionin pranveror Kuvendi ka arritur që të miratojë 33 ligje, ndërsa në komisionet parlamentare, në procedurë për shqyrtim janë edhe 55 projektligje, apo 38 për qind,  59 projektligje ose 40 për qind nuk janë përgatitur ende”, thuhet në të gjeturat e monitoruesve të Kuvendit.

Në konferencë u tha se Kuvendi ka qenë kampion në mbajtjen e interpelancave me 12 të tilla, por të cilave u ka dështuar votimi i rezolutave për shkak të mungesës së kuorumit.

Vetëm gjatë sesionit pranveror janë parashtruar gjithsej 237 pyetje parlamentare, ndërsa janë evidentuar 660 mungesa të deputetëve nga janari deri në muajin qershor.