Dragan Vasilkoviq, alias 'Kapiten Dragani'

‘Kapiten Dragani’ Del Para Gjyqit Kroat

Komandanti paraushtarak i kohës së luftës Dragan Vasiljkoviq e deklaroi veten të pafajshëm të enjten gjatë seancë përgatitore në gjykatën e qarkut në qytetin bregdetar kroat të Splitit.

“Nuk e konsideroj veten fajtor,” tha Vasiljkoviq në gjykatë.

Gjyqi i tij do të fillojë më 20 shtator dhe zyra e avokatit të shtetit paraqiti një listë me 50 dëshmitarë që ajo dëshiron të dëshmojnë.

Vasiljkoviq akuzohet për krime lufte kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës në Kroaci midis viteve 1991 dhe 1993.

Ai akuohet për planifikimin e një sulmi në qytetin Glina dhe fshatrat përreth në Kroacinë qendrore në korrik 1991, gjë që solli vdekjen e dy civilëve, njëri prej tyre një gazetar gjerman, Egon Scotland. Prona u plaçkit dhe u shkatërrua.

Ai akuzohet gjithashtu për torturim dhe keqtrajtim të ushtarëve dhe policëve kroat të burgosur në qershor dhe korrik 1991 në kështjellën e Kninit, dhe urdhërimin e ekzekutimit të dy të burgosurve të luftës në Brska, pranë qytetit lindor të Benkovacit, në shkurt 1993.

Vasiljkoviq është mbajtur në burg në Split që prej korrikut 2015, pasi u ekstradua nga Australia ku ai jetoi për vite me radhë me emrin Daniel Snedden dhe ku punonte si instruktor golfi.

Ai u dërgua në Kroaci pasi humbi një betejë nëntë vjeçare kundër esktradimit të tij.

Vasiljkoviq i mohoi akuzat dhe u përpoq të shmangte ekstradimin nga Australia me pretendimin se në Kroaci s’do të kishte një gjykim të drejtë.

Edhe Beogradi u përpoq të lobonte me qeverinë australiane që Vasiljkoviq të ndiqej penalisht në Serbi dhe jo në Kroaci, duke pretenduar gjithashtu se ai s’do të gjykohej drejt në Kroaci.

Gjatë fillimit të viteve 1990, Vasiljkoviq erdhi në rajonin e Kninit në Kroaci për të stërvitur një njësi speciale të armatosur me rebelë serbë, të njohur si Kninxhe – një bashkim i emrave “Knin” dhe “Ninxha”. Ata ndihmuan në formësimin e një territori që më vonë u quajt Republika e Krajinës Serbe.

Vasiljkoviq instruktoi gjithashtu zotin famëkeq serb të luftës Zhelko Raznjatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, dhe anëtarë të njësisë së tij paraushtarake Tigrat, ndër të tjera.

Aktakuzat e Gjykatës së Hagës i kanë lidhur Tigrat direkt me qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, duuke pretenduar se ata financoheshin nga buxheti shtetëror serb.

Vasiljkoviq dëshmoi si dëshmitar i prokurorisë në gjyqin e Millosheviqit në Hagë në vitin 2003, kur ai mohoi të kishte pasur ndonjë lidhje me Beogradin.

Gjykata në vitin 2007 e cilësoi atë si pjesëmarrës në krime kundër kroatëve dhe jo-serbëve të tjerë në çështjen e ish-liderit serb të Kroacisë Milan Martiq, por nuk kërkoi arrestimin e tij.