Kadri Veseli takon Bekim Jasharin në Skenderaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shkuar në vizitë në komunën e Skenderajt ku u prit nga kryetari Bekim Jashari.

Siç njoftoi Jashari në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ata diskutuan rreth aktiviteteve që do të zhvillohen për nder të 21-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, si dhe për tema e çështje të tjera të interesit shtetëror.

“Kisha kënaqësi që me nënkryetarin Nuredin Lushtaku të presim në zyrë kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, deputetin Bekim Haxhiu dhe bashkëpunëtorë tjerë, në prag të shënimit të Epopesë së UÇK-së, me të cilin kemi diskutuar rreth aktiviteteve që do të zhvillohen për nder të 21-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, si dhe për tema e çështje të tjera të interesit shtetëror”, ka shkruar i pari i Skenderajt.

Gjithashtu, Jashari nga ky takim ka ritheksuar nevojën për të qenë të bashkuar kur vihen në pyetje interesat dhe e ardhmja e shtetit gjatë paraqitjes e tyre të përbashkët para medieve.