Pamje nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Interpelanca për Ministrin Rikalo në Seancën e të Martës

Mbledhja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të hënën më 2 tetor.

Kështu bëri të ditur kryeparlamentari, Kadri Veseli, pas një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit, e cila filloi në ora 21:00.

Seanca e të hënës do të jetë vazhdim i seancës së kaluar.

Pastaj, të martën do të ketë dy seanca.

Në seancën e parë do të konstituohen komisionet parlamentare, e në të dytën do të ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare – IPA, përmes të cilës, sipas Veselit, Kosova do të përfitojë 70.5 milionë euro.

Sipas kreut të Kuvendit, në seancën e parë të së martës është edhe interpelanca e kërkuar nga grupi parlamentar i LDK-së, lidhur me akuzat që janë bërë në adresë të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Dy javë më parë, disa banorë të një ndërtese kolektive në lagjen “Dardania” në Prishtinë i kanë thënë KTV-së se gjatë viteve 1990 janë torturuar nga Nenad Rikalo.

Akuzat erdhën pak ditë pasi kryeministri Ramush Haradinaj e emëroi Rikalon në kabinetin e tij në postin e ministrit të Bujqësisë.

Banorët shqiptarë pretendojnë se e kanë parë Rikalon të uniformuar

Festim Beqiri, një nga banorët e kësaj ndërtese, tha se i ka përjetuar dy herë torturat nga Rikalo dhe se Rikalo i kishte drejtuar armën babait të tij tashmë të ndjerë.

Akuzat kanë zgjuar reagime të shumta nga politika dhe shoqëria në Kosovë.

Vetë Rikalo i ka mohuar ato akuza përderisa dy partitë opozitare, VV e LDK, kanë kërkuar nga prokuroria nisjen e hetimeve ndërsa nga Ramush Haradinaj shkarkimin e ministrit të tij.

Por Haradinaj, në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar, e mbrojti ministrin Rikalo duke thënë se kishte kërkuar nga Prokuroria, AKI dhe Policia informata rreth akuzave të qytetarëve por këto institucione nuk kishin pasur informacione që ai mund të jetë i përfshirë në veprime të tilla.