Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti Thyen Heshtjen për Nenad Rikalon

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur absurde deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj se ministri i tij i Bujqësisë, Nenad Rikalo, nuk ka qenë i përfshirë në ushtrim të dhunës ndaj shqiptarëve gjatë vitit 1999 siç pretendojnë disa ish-fqinj të tij në lagjen “Dardania” të kryeqytetit.

Kujtojmë se kryeministri Haradinaj tha se ministri Rikalo nuk ka qenë i përfshirë në veprime të tilla dhe se për këtë është siguruar nga Prokuroria e Shtetit, AKI-ja dhe Policia e Kosovës.

Këto deklarata “dalzotëse” të Haradinajt Albin Kurti i ka quajtur paragjykuese dhe të papërshtatshme, sepse janë të parakohshme.

”Prokuroria e Kosovës do të duhej të vepronte menjëherë, ndërkaq vetëm eventualisht në një proces të ardhshëm gjyqësor mbrojtja e Rikalos do të mund t’i angazhonte si dëshmitarë të mbrojtjes këta zyrtarë shtetërorë të cilët praktikisht po thonë se banorët e Dardanisë po gënjejnë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Fillimisht, e pakta që duhej bërë, sipas Albin Kurtit, është pezullimi i menjëhershëm i postit të ministrit për z. Nenad Rikalo. “Tash, ai duhet shkarkuar”, thekson ai.

“Pasi dëgjuam ato që thanë banorët e lagjes ‘Dardania’ në Prishtinë, çfarëdo mbrojtje e Rikalos, qoftë nga ai vetë qoftë nga shefi i tij, vetëm sa e rritin dyshimin për të. Krimet nuk vjetrohen. Sepse njerëzit nuk harrojnë. Sepse jetët e njerëzve krimi i ka ndryshuar përgjithmonë”, ka theksuar deputeti i VV-së.

Albin Kurti i është kthyer edhe asaj që Nenad Rikalo ka deklaruar se e njeh atë nga koha e themelimit të KAN-it (KosovActioNetwork).

“Ndoshta z. Rikalo më njeh, unë nuk e mbaj mend. E shumta, ka mundësi që z. Nenad Rikalo të ketë qenë pjesëmarrës në konferencën “Drejtimet e reja” që është mbajtur në Grand Hotel në Prishtinë nga 8 deri më 13 korrik 2003, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 70 aktivistë e personalitete të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare dhe e cila rivitalizoi KAN-in e formuar qysh në vitin 1997”, thekson Kurti.

Pse ministri Rikalo më përmend mua, por edhe Shpend Ahmetin e Ilir Dedën, në sqarimin e tij publik?, pyet Kurti.

“Ka dy mundësi, e të cilat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. E para, ai synon ta godasë opozitën duke i bërë argatin qeverisë e sidomos PDK-së, zyrtarë të së cilës nuk çajnë kokën nëse Rikalo ka kryer krime por vetëm se a mund ta dëmtojnë sadopak me ndonjë insinuatë Lëvizjen VETËVENDOSJE!. E dyta, ndoshta përgjegjësia e Rikalos për akuzat e banorëve të lagjes “Dardania” mund të jetë dyshim i bazuar, dhe ai nga paniku po imagjinon fije kashte ku do mund të kapej. Secila nga këto mundësi dhe të dyja bashkë, gjithsesi e rrisin dyshimin në ministrin Rikalo”, ka përfunduar ai.

Në një njoftim në faqen e internetit të Ministrisë së Bujqësisë, ministri Nenad Rikalo ka mohuar t’i ketë bërë keq ndonjë shqiptari gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se do të kërkojë interpelancë për qeverinë.

http://kallxo.com/hoti-paralajmeron-interpelance-per-rastin-rikalo/

Ramush Haradinaj pas daljes së kronikës për Rikalon në KTV, tha se institucionet e sigurisë së Kosovës i kanë thënë se nuk kanë informata se Rikalo është përfshirë në keqtrajtim të qytetarëve të Prishtinës.