Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Inspektorati mbyllë paradhomën e drejtorit të QKMF-së në Rahovec për papastërti

Paradhoma e Drejtorit të Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Rahovec është mbyllur gjatë ditës së sotme nga Inspektorati.

Kjo ka ndodhur për shkak se sipas inspektoratit, paradhoma në fjalë, nuk i ka plotësuar kushtet për punë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, Samir Mustafa e ka konfirmuar rastin për KALLXO.com.

“Inspektorati ka kontrolluar sot objektin në QKMF në Rahovec dhe kanë mbyllur paradhomën e drejtorit të QKMF-së. Kjo ka ndodhur pasi është konstatuar se ka qenë e pa pastruar dhe për shkak të një rubineti të prishur”, ka thënë Mustafa.

Një qytetar ka dërguar fotografi në redaksinë e KALLXO.com ku shihet njoftimi i vendosur nga Inspektorati Sanitar i Kosovës për ndalim të përkohshëm të veprimtarisë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe drejtorin në fjalë por kontakti me të deri më tani ka qenë i pamundur.