Gjykimi për grabitje në tentativë - FOTO KALLXO

I akuzuari për grabitje në tentativë kërkon gjykim në gjuhën gjermane

Në gjykimin ndaj Vedat Gjuliaj, i akuzuar për tri vepra penale, mbrojtësja e tij avokatja Shpresa Bakija e kundërshtoi aktakuzën, duke kërkuar nga gjykata që ta hedhë atë.

Vedat Gjuliaj po akuzohet se në pompën e derivateve “B3 Benz” duke e sulmuar fizikisht kishte tentuar t`ia merr kuletën të dëmtuarit Valmir Zenelaj, mirëpo i dëmtuari duke ia kthyer sulmin kishte arritur ta kthente kuletën e tij.

“Aktakuza nuk ka prova të mjaftueshme, aty është bërë një përshkrim i përgjithshëm”, tha avokatja Shpresa Bakija.

Një kërkesë të tillë e kundërshtoi prokurori i rastit Ramiz Buzhala, me arsyetimin se aktakuza i ka të gjitha provat e mbështetura.

Ndërkaq gjyqtari Gëzim Pozhegu, për këto propozime bëri të ditur se do të vendos me vendim të veçantë.

Njëherit avokatja Bakija i propozoi gjykatës që si dëshmitar të dëgjohet Enver Vehapi, e gjithashtu për të mbrojturin e tij kërkoi nga gjykata një përkthyes të gjuhës gjermane, me arsyetimin se i akuzuari nuk e kupton mirë gjuhën shqipe dhe se i njëjti ka jetuar një kohë në Gjermani.

Sipas aktakuzës Vedat Gjuliaj në pompën e derivateve “B3 Benz” duke e sulmuar fizikisht kishte tentuar t`ia merr kuletën të dëmtuarit Valmir Zenelaj, mirëpo i dëmtuari duke ia kthyer sulmimet kishte arritur ta kthente kuletën e tij.

Në aktakuzë thuhet se me këto veprime i ka shkaktuar edhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Valmir Zenelaj.

Aktakuza gjithashtu shpjegon se po atë ditë i akuzuari Vedat Gjuliaj përdor forcën dhe merr gjëra nga shtëpia e të dëmtuarit Shpejtim Berisha.

Nga aty Gjuliaj shkon në hekurishte të Elon Karaxhia duke u prezantuar me emrin Vedat Cana dhe gjërat në vlerë prej 700 euro që i kishte vjedhur tek i dëmtuari Shpejtim Berisha i kishte shitur për 73 euro, thuhet në aktakuzë.