
Hungaria e Gatshme të Ndihmojë Integrimin e Kosovës
Gjatë takimit në Budapest, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Isa Mustafa tha se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim vizash, ndërsa e vlerësoi edhe njëherë të rëndësishme hyrjen në fuqi të MSA-së.
“Sa i takon liberalizimit të vizave tashmë kemi përmbushur çdo kërkesë dhe presim që shumë shpejt institucionet e BE-së të japin rekomandimin pozitiv për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së. Kosovarët e meritojnë që kjo e drejtë t’u mundësohet sa më parë, pasi që një gjë e tillë do të ketë impakte pozitive për zhvillimin e gjithmbarshëm në Kosovë dhe më gjerë,” tha Mustafa.
Edhe Kryeministri hungarez Viktor Orban dha përkrahje për rrugën kosovare të integrimit në BE.
Orban, po ashtu shprehu vullnetin e Hungarisë për thellimin e bashkëpunimit dhe për të ndihmuar Kosovën në fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Komunikata bëri të ditur se në takimin e kryeministrave u vlerësua se ka hapësirë dhe interes për bashkëpunim ekonomik në fushën e bujqësisë dhe të procesimit të produkteve bujqësore, në menaxhimin e ujërave si dhe në shkollimin e kuadrove të nevojshme në universitetet hungareze.
Mustafa ftoi homologun e tij hungarez për një vizitë në Kosovë.