Enver Hoxhaj - Foto: Facebook

Hoxhaj: Ambasadori e Konsulli Janë Pranë Haradinajt

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kushtuar arrestimit në Francë të Ramush Haradinajt, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se me liderin e AAK-së ka biseduar të mërkurën, në ditën e arrestimit, rreth 10-15 minuta, pas orës 15:00.

Hoxhaj tha se që nga ajo ditë angazhimi i tij ka qenë maksimal për lirimin e Haradinajt.

“Çdo orë kemi pasë informacione, kemi biseduar me autoritetet franceze”, shtoi shefi i diplomacisë kosovare, duke treguar se që në ditën e parë në Ministrinë e Jashtme kanë ngritur një ekip në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë e atë të Brendshme. “Ambasadori ynë në Francë e konsulli kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pranë z. Haradinaj”, shtoi Enver Hoxhaj, duke theksuar se me qëllim të koordinimit sa më të mirë ka biseduar edhe me zyrtarë të AAK-së.

“Kemi punuar në dy nivele, atë politik – që e kam udhëhequr unë dhe atë të drejtësisë, që e ka udhëhequr ministrja e Drejtësisë

Kam pasë telefonatë të gjatë me ministrin e Jashtëm të Francës, ku ia kam shpjeguar detajet e motivet serbe dhe se fletarrestet e tilla janë jovalide e të papranueshme”, theksoi ministri i Jashtëm.

“Krahas përpjekjes tonë që me çdo kusht ta mbrojmë interesin e çdo qytetari tonë, duhet të bëjmë përpjekje të ruajmë edhe raportet tona me miqtë tanë. Nuk ka asgjë tjetër që do të shkonte më shumë në favor të Serbisë se të krijohet një hendek mes Kosovës e Francës”, tha Enver Hoxhaj.

Ne do të punojmë 15 orë në ditë që Haradinaj të kthehet sa më shpejt në Kosovë, shtoi ai.

http://kallxo.com/nis-debati-per-arrestimin-e-haradinajt/