Hoti: Të ndalet zhvendosja gjeostrategjike e Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se për idenë e korrigjimit të kufirit nuk duhet të kërkohen aleatë të cilët Kosova kurrë nuk i ka pasur, sepse një qasje e tillë e zhvendos Kosovën jashtë interesave euroatlantike.

“E keqja e re, dhe më e madhja deri më tani, e propozimit për korrigjimin e kufirit të Kosovës është se për të po kërkohen aleatë atje ku kurrë nuk i kemi pasur. Kjo qasje ka filluar ta zhvendos Kosovën jashtë interesave euro-atlantike, që bie ndesh me përpjekjet tona për orientim gjeostrategjik të Republikës së Kosovës kah perëndim”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Tutje Hoti ka bërë thirrje që zhvendosja gjeostrategjike e Kosovës të ndalet sa nuk është bërë ende vonë.