Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

Hoti Përsërit Kërkesën e LDK-së për të Shkuar në Zgjedhje

Në Prizren gjatë shënimit të 28 vjetorit të themelimit të LDK-së, Avdullah Hoti përsëriti kërkesën për zgjedhje të reja.

“Keni dëgjuar qëndrimin unanim të deputetëve të LDK-së që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, jo pse LDK-ja dëshiron të vijë në pushtet, por sepse sa më shpejt që mbahen zgjedhjet këputet mundësia që vendi më shumë të thellohet jo vetëm në krizë ekonomike, por në krizë institucionale”, tha Hoti.

Ai arsyetoi kërkesën për zgjedhje me ngjarjet që ndodhën kur u deportuan gjashtë shtetasit turq.

“Javën që shkoi kemi parë një krizë të paimagjinueshme, një rënie komplet të hierarkisë komanduese të shtetit të Kosovës. LDK si parti institucionale nuk e lejon këtë”, tha Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se nëse subjektet politike nuk pajtohen për datën e zgjedhjeve, LDK-ja me rrugë ligjore do t’i mundësojë ato.

“Do të ndërmarrim procedurat ligjore kushtetuese që na lejon Kushtetuta për të çuar vendin në zgjedhje në mënyrë të rregullt, në mënyrë që t’i japim vendit një qeveri kredibile të besueshme në sytë e qytetarëve, që punon për qytetarët, jo për politikanët”, tha Hoti.

Duke folur për 28 vjetorin e themelimit të LDK-së në Prizren, Hoti tha se historia e LDK-së është vetë historia e Kosovës.

“Kemi një histori të bujshme 28 vjeçare si parti politike dhe krejt historia e LDK-së është histori e Kosovës, në çdo fazë, në çdo etapë”, tha Hoti.