Avdullah Hoti - LDK

Hoti: Pa shoqërinë civile s’mund të bëhet përmirësim substancial i procesit zgjedhor

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti është shprehur i shqetësuar për bojkotin që shoqëria civile po i bën Grupit Këshillëdhënës që e mbështet punën e Komisionit Parlamentar ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.

Kjo ka ndodhur për shkak të pakënaqësisë me draftin e Projektligjin për Financimin e Partive Politike.

Sipas Hotit, Komisioni Parlamentar, i formuar në prill të këtij viti, ka synim kryesor adresimin e rekomandimeve të vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja.

“Pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile nuk besoj se mund të bëhet përmirësim substancial i procesit zgjedhor në Kosovë”, ka vlerësuar ai përmes një publikimi në Facebook.

“Projektligji për të cilin organizatat e shoqërisë civile me të drejtë po kundërshtojnë, tani për tani nuk bie në kompetencën e këtij Komisioni Parlamentar, vijon më tej Hoti.

Ndërkaq, në cilësinë e kryetarit të këtij Komisioni Parlamentar, ai i ka ftuar këto organizata të vazhdojnë të japin kontributin në Grupin Këshillëdhënës që të adresohen në mënyrë cilësore rekomandimet e vëzhguesve të BE-së.

“Po ashtu, dëshiroj t`i njoftoj ato se asnjë projektligj, e aq më pak ky për Financimin e Partive Politike, i cili bie ndesh me frymën kushtetuese dhe parimet zgjedhore sipas standardeve të BE-së, nuk do të përkrahet nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Hoti beson se do të mund të arrijnë konsensus në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje.

“Besoj se në Kuvendin e Kosovës do të arrijmë të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm për një ligj për financimin e partive politike që është në përputhje me standardet e BE-së dhe që siguron financim dhe raportim transparent të partive politike, që siguron llogaridhënie të partive politike ndaj qytetarëve dhe votuesve”, thuhet në publikimin e tij në Facebook.

Dhjetëra organizata të shoqërisë civile nuk po pajtohen me projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, pasi sipas ky është një projekt që shkon në interes të subjekteve të caktuara politike.

Organizatat e shoqërisë civile kishin organizuar “Marshin e Refuzimit” për të kundërshtuar Projektligjin në fjalë, përderisa sot (e premte) kanë protestuar për këtë çështje.

https://kallxo.com/sigurimi-ne-pdk-pengon-protesten-e-shoqerise-civile/