Paradë në mbështetje të komunitetit LGBT në Prishtinë. Foto: CEL

Homoseksualët e Frikësuar të Kosovës Rrinë të Mbyllur

Të drejtat e tyre mund të duken mirë në letër- por në realitet komuniteti LGBT në Kosovë mbetet njëri nga më të diskriminuarit, në një shoqëri ku tërheqja mes gjinisë së njëjtë ende shihet si sëmundje.

Një biseksual nga Prishtina, i cili për arsye personale ka insistuar të mbetet anonim, i ka thënë BIRN se pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë nuk mund as të mendojnë të flasin haptas lidhur me orientimin e tyre seksual.

Sipas tij, komuniteti LGBT çdo ditë përballet me shkelje të të drejtave të njeriut. “Në punë, në shoqëri, në çdo aspekt të jetës që e jetojmë”, ai tha.

“Duke filluar nga puna ime dhe kolegët e mi, kur diskutojmë lidhur me këtë (të drejtat e LGBT), dëgjoj mendime të tilla si “Të jesh biseksual, gay ose lezbike është sëmundje” “I kishha vra” e të tjera, që nuk mund tu besoj veshëve të mi atë që dëgjoj”, thotë ai.

Ky 27 vjeçar tregon që janë vetëm katër persona me të cilët ai ka mundur të flasë rreth orientimit të tij seksual dhe asnjëri nga ta nuk është i familjes. Ai thotë se as nuk e ka menduar të flasë me familjarët, duke shtuar “Po mundohem vetëm të shijoj jetën që jetoj.”

Teorikisht, të drejtat e LGBT në Kosovë janë të garantuara me ligjin kundër Diskriminimit, të cilin parlamenti e ka aprovuar në vitin 2004.

Praktikisht, përderisa OJQ-të të cilat punojnë për të drejtat e LGBT organizojnë marshe me mbështetje të udhëheqësve politikë, mentaliteti i shumicës së popullit mbetet mbrapa.

Sidoqoftë, ka disa organizata jo qeveritare në Kosovë, të cilat po punojnë në ngritjen e vetëdijes rreth të drejtave të komunitetit LGBT.

Drejtoresha e njërës prej tyre- CEL (Center Equality and Liberty) Rajmonda Sylbije, i ka thënë BIRN-it se ka deputetë që nuk kanë as ide se çka kanë votuar kur është fjala për të drejtat e komunitetit LGBT.

Kështu që ajo nuk beson se zyrtarët në institucione shtetërore e dinë se cilat janë të drejtat bazike të këtij komunitetit.

Për shkak të kësaj kulture injoruese të zyrtarëve, Sylbije shtoi se shumica e shkeljeve të të drejtave ndodhin në shkolla, sistemin shëndetësor dhe institucione tjera shtetërore.

Fakti që në shumë komunitete, njerëzit ende mendojnë se të qenit gay ose lezbike është sëmundje, ka bërë që  kjo organizatë të punojë me të rinjtë në përpjekje të ngritjes së vetëdijes. Aktualisht ajo tha se janë duke punuar me moshat 18-25 vjeçare.

Është duke u punuar edhe në një plan veprimi për shkolla, përmes Zyrës për Qeverisje të Mirë. “Po mundohemi që ta shtojmë së paku një tekst për të drejtat e LGBT në lëndën e Edukatës Qytetare”, tha Sylbije.

Sidoqoftë, nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e mentalitetit të zyrtarëve dhe në  shkolla. Gjithashtu duhet punuar shumë edhe në fuqizimin e pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Përkundër numrit të lartë të kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj homoseksualëve, vetëm 17 raste janë raportuar në Polici nga viti 2012, ndërsa vetëm njëri nga ta ka arritur në prokurori.

Prandaj, Sylbije dhe aktivistë të tjerë që punojnë për të drejtat e komunitetit LGBT thonë se fokusi gjithashtu duhet të jetë edhe në institucionet e drejtësisë në vend.