Screenshot
Kancelari Scholz mbështetë futbollistët gjermanë që mbyllën gojën në Katar
Kancelari gjerman Olaf Scholz përshëndeti gjestin e futbollistëve gjermanë që mbuluan gojën përpara ndeshjes kundër Japonisë në Kupën e Botës, si një përgjigje ndaj ndalimit që Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) i bëri mbajtjes së shiritave të kapitenëve me ngjyrat e ylberit.
“Ajo që duhet mbajtur mend është se lojtarët e ekipit gjerman gjetën një mënyrë për të dërguar një mesazh të fortë”, tha Scholz në një intervistë për të përjavshmen gjermane ‘Focus’.
Futbollistët gjermanë mbuluan gojën me duar gjatë një fotografie ekipore para ndeshjes kundër Japonisë të mërkurën.
Gjesti ishte një përgjigje ndaj vendimit të FIFA-s për të ndaluar një plan nga shtatë ekipe kombëtare evropiane për të veshur shiritat e kapitenit me ngjyra të ylberit në shenjë proteste ndaj asaj që ata pretendojnë se janë shkelje të të drejtave të njeriut në Katar.
I pyetur nëse ka ndërmend të shkojë në Katar për të mbështetur ekipin gjerman në rast se ata arrijnë në finale, Scholz u përgjigj: “Unë do të vendos në kohën e duhur”, raporton AFP.
Pas humbjes befasuese nga Japonia (2:1) në ndeshjen e parë, më 27 nëntor futbollistët e Gjermanisë do të përballen me Spanjën, e cila fitoi bindshëm ndaj Kosta Rikës me rezultat 7:0 në fillim të turneut./REL