Holanda Pajtohet ta Strehojë Gjykatën Speciale

Qeveria e Holandës bëri të ditur sot se është pajtuar me kërkesën e Bashkimit Evropian që selia e Gjykatës Specialë për Kosovën të jetë në këtë shtet, tha ministria e jashtme e Holandës në një deklaratë.

Gjykata e cila zyrtarisht do të quhet si Institucioni Gjyqësor Special i Zhvendosur i Kosovës pritet të fillojë të operojë gjatë këtij viti.

Ajo do t’i gjykojë dyshimet për krime të rënda të kryera në vitet 1999- 2000 nga ana e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë.

“Është e rëndësishme që drejtësia të çohet në vend. Në këtë mënyrë, ne jemi të lumtur që jemi në gjendje t’ia ofrojmë një seli kësaj gjykate”, tha ministri i jashtëm i Holandës, Bert Koenders.

Koenders dhe ministri për siguri e drejtësi, Ard va nder Steur, thanë se ata besuan që Holanda ka një përgjegjësi të veçantë si vend nikoqir i një numri të gjykatave ndërkombëtare, siç është edhe tribunali Penal për Krime Lufte në ish Jugosllavi.

“Kjo është një mundësi e mirë për të siguruar se drejtësia më në fund do të çohet në vend dhe për t’i mbajtur njerëzit llogaridhënës për të këqijat që i kanë bërë”, tha va nder Steur.

Selia e gjykatës do të jetë në ish ndërtesën e Europol-it, ndërsa pritet të ndërtohet një aneks për sallë të gjykimit.

“Në ndërkohë, gjykata do të akomodohet diku tjetër në Hagë”, tha ministri i jashtëm i Holandës.

Gjykata do të paguhet nga fondet e BE-së.