Heqja e vizave, peng i sundimit të ligjit në Kosovë

Qytetarët e Kosovës duket se edhe këtë vit nuk do të mund ta gëzojnë liberalizimin e vizave.

Kështu të paktën kanë paralajmëruar tërthorazi liderët e institucioneve të larta qeveritare në vend.

Ndërkaq, analistët politik vlerësojnë se Bashkimi Evropian po i kushtëzon Kosovës heqjen e vizave, duke pasur parasysh ngecjet në sundim të ligjit.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj së fundi ka deklaruar se në rast se nuk  hiqen vizat as këtë vit, atëherë Kosova do të duhet të mendojë se si duhet të qaset kundrejt Bashkimit Evropian.

“Kosova tashmë i ka përmbushur 95 kriteret e vëna për liberalizimin e vizave, andaj nuk ka asnjë arsye që Bashkimi Evropian të mos e përmbyllë këtë proces”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për gazetën “Zëri”.

Zëvendëskryeministri ndër të tjerash ka vlerësuar se vendimi mbi këtë çështje duhet të jepet në dhjetor të këtij viti, në të kundërtën, sipas tij, si arsye e mosdhënies eventuale të vendimit për vizat mund të merret vetëm një lloj “albanofobie”, e cila, sipas tij ekziston në disa kryeqytete evropiane.

Në të njëjtën frymë ditë më parë është shprehur edhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha.

Ministrja Hoxha ka thënë se votimi për liberalizimin e vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së mund të shtyhet, në rast se Kosova nuk siguron votat e nevojshme nga shtetet anëtare. Ndërkohë, Hoxha ka qëndruar në Strasburg të Francës, prej ku ka bërë të ditur se është duke zhvilluar “takime të veçanta” me përfaqësues të shteteve të BE-së, të cilët hezitojnë të votojnë pro liberalizimit të vizave për kosovarët.

Për këto zhvillime, njohësi i çështjeve politike në vend Imer Mushkolaj ka thënë për KALLXO.com se nuk do të duhej tu besohej politikanëve të Kosovës të cilët premtonin se procesi i vizave do të përfundonte këtë vit.

“Ka qenë absurde tu besohet premtimeve që ata i jepnin se vizat do të përfundojnë gjatë këtij viti, jo pse Kosova nuk i ka përmbushur teknikisht kriteret e vendosura, por për shkak se gjatë këtij viti kanë ndodhur shumë ngjarje të cilat kanë ndikuar direkt në fushën e sundimit të ligjit. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër arsyet më të forta, si kriter politik për liberalizimin e vizave”, thotë Mushkolaj.

Sipas tij, duhet pasur parasysh qasjen që ka Bashkimi Evropian karshi këtij problemi.

“BE-ja e ka parë se vetëm me kushtëzim, liderët kosovarë mund të çojnë përpara procese dhe përderisa me kushtëzim u bllokuam tri vjet me demarkacionin me Malin e Zi dhe në fund u detyruan ta kalojnë në Kuvend të njëjtin version. Tash duket se, edhe pse nuk thuhet publikisht, por çështja e liberalizimit të vizave është e lidhur ngushtë me avancimin në dialogut me Serbinë”, shprehet analisti politik për KALLXO.com.

Sipas Mushkolajt, ky kushtëzim vjen duke e pasur parasysh klasën politike të Kosovës që “…është e shkapërderdhur dhe në radhë të parë nuk e ka interesin e qytetarëve, por interesin e vet”.

“Atëherë ky kushtëzim është arma e vetme që në fakt Bashkimi Evropian e ka tash në dorë për ta quar përpara dialogun me Serbinë nga ana e Kosovës dhe nuk dëshiron ta harxhojë në këmbim të liberalizimit të vizave tani”, tha ai.

Kurse, analisti politik Artan Murati deklaratat e zyrtarëve të lartë të shtetit për vonesat në liberalizimin e vizave i ka quajtur realiste.

“Më në fund një deklaratë realiste nga zyrtarët e shtetit të Kosovës rreth vizave. Shanset për të udhëtuar pa viza në 2018 janë zero. Më e mira e mundshme që mund të marrim këtë vit do të ishte një vendimmarrje nga Këshilli, por shumë vështirë se ndodhë edhe ajo”, ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, Ka shtete të mëdha e të fuqishme në BE, mike të Kosovës, që nuk janë të gatshme për t’i hequr vizat për kosovarët.

“Duhet shumë lobim te këto shtete. Po ashtu, duket të sigurohet sundim i rendit dhe ligjit në vendin tonë për të garantuar se dimë si të menaxhojmë me qytetarët që potencialisht duan të kërkojnë azil në BE”, është shprehur ai.

Analisti Murati e ka përmendur edhe rastin e fundit të incidentit të djalit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhunit, të cilit iu gjetën ne veturë një armë dhe substancë e dyshuar narkotike.

“Imagjinoni tash çfarë mesazhe po dërgojmë në BE, duke i amnistuar nga krimet fëmijët e ‘të fortëve’, si ky rasti i fundit. Ndoshta po e shihni që gjithçka funksionon si zinxhir. Nuk funksionon mire shteti brenda, nuk të marrin seriozisht jashtë, dhe mbetesh i mbyllur”, ka shkruar ai.

Liberalizimi i vizave i është premtuar qytetarëve për vite me radhë, por shteti i Kosovës pritet të ketë rrugë të gjatë në procesin e heqjes së vizave për zonën Shengen, pasi sipas një grafike të KALLXO.com, deri më tash rrugëtimi drejt lëvizjes së lirë është plotësuar vetëm 23 për qind.