Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

Haskuka kundër vrasjes së ariut

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka deklaruar se trajtimi i çështjes së ariut duhet të bëhet në formë tjetër dhe jo me anë të vrasjes së tij.

“Agjencia Pyjore e Kosovës do të ishte mirë që ta rishqyrtonte vendimin e saj dhe të jetë në gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje tjetër, pasi që ky vendim është në kundërshtim edhe me rekomandimet dhe qëndrimet e komisionit profesional të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimt Hapësinor”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

I pari i Prizrenit, ka shtuar se lidhur me këtë temë, kanë pasur takime me drejtori komunale dhe shoqata të gjahtarëve.

“Ne si Komunë kemi pasur disa takime ndërmjet Drejtorisë së Bujqësisë, Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri, shoqatave të gjahtarëve, Drejtorisë së Parkut Nacional, Policisë së Kosovës dhe ekspertëve të faunës për trajtimin e kësaj problematike dhe shtimin e masave të sigurisë për banorët e fshatrave përreth”, thuhet në publikimin e tij.

Haskuka ka thënë se kanë kërkuar mbështetje edhe nga Pylli i Arinjve Prishtina dhe institucionet e shoqatat e tjera përgjegjëse, duke e shikuar si mundësi edhe ndërrimin e habitatit të ariut.

“Arinjtë dhe shumë kafshë të tjerë që jetonë në natyrë janë pasuri për faunën tonë dhe ata duhet t’i mbrojmë deri në fund”, ka shkruar ai.

Një vendim i publikuar në media, i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, për vrasjen e ariut të murrmë në Prizren, ka nxitur reagime të shumta të organizatave për mbrotjen e kafshëve në vend dhe jo vetëm.

https://kallxo.com/kundershtohet-vrasja-e-ariut-te-murrme-ne-prizren/

www.kallxo.com