Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti shqiptar, Ilir Meta - Foto: ZKM

Haradinaj: Vrasja e Ivanoviqit nuk e Destabilizoi Vendin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj komentoi gjendjen e sigurisë në vend pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë , Oliver Ivanoviq, javën e kaluar.

Sipas Haradinajt, situata në vend në aspektin e sigurisë është stabile dhe vrasja e Ivanoviqit po trajtohet me seriozitet.

“Të gjithë mekanizmat konfirmojmë që situate është stabile, vrasja e Ivanoviqit është marrë seriozisht pra nuk ka paralajmërimi për destabilizim”, tha Haradinaj.

Këto komente, Kryeministri i bëri pas një takimi që pati me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.

Meta tha se arsyeja e vizitës së tij ishte dhe nderimet për përvjetorin e vdekjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

“Shfrytëzoj rastin për të shprehur admirimin më të veçantë për veprën e Presidentit Ibrahim Rugova, për vlerat më të spikatura të lidershipit të tij, të largpamësisë”, tha Meta.

Ai po ashtu tha se me Haradinajn diskutuan për sfidat e dy vendeve në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian.

“Unë besoj që ne duhet të bëjmë çdo gjë për ti përmbushur zotimet tona në rrugën e integrimeve evropiane. Është e rëndësishme të ketë në konsideratë të gjitha raportet e rajonit që të ketë data inkurajuese”, tha Meta.

LIVETakimi Ramush Haradinaj- Ilir Meta

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 22 janvier 2018