Ramush Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj uron për Pashkët, kërkon t’u shtrihet dora atyre që kanë nevojë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar komunitetin katolik me rastin e festës së Pashkëve.

Sipas Haradinajt, Pashkët për mijëra vjet i kanë bashkuar shqiptarët në vendin e vet rreth vlerave të tyre unike.

“Kjo ditë, që na rrëfen mrekullinë e ringjalljes, të ngadhnjimit të jetës mbi vdekjen, na kujton se në thelb, sakrifica për të mirën dhe të drejtën është virtyti më i lartë jetësor”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

“Uroj që në këtë ditë të bekuar për besimtarët katolikë, ta ngrisim ndjenjën e respektit për të tjerët dhe t’ua shtrijmë dorën atyre që kanë nevojë”, ka thënë ai, duke uruar ipeshkvin e Kosovës Imzot Dodë Gjergjit, të gjithë shqiptarët e besimit katolik, si dhe miqtë.