Ministrja e Arsimit tregon se a do të mbahet nesër mësimi online

Ministrja e Arsimit, Teknologjisë, Shkencës dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se nesër për shkak të festës së Pashkëve nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave online.

Ajo ka shtuar se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në RTK gjatë ditës së hënë do të ri-transmetohen.

“Nesër, më 13 prill 2020, është festë zyrtare, me rastin e Pashkëve, dhe për faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditën festive, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në RTK gjatë ditës së hënë (më 13 prill 2020), do të ri-transmetohet edhe ditën e shtunë (më 18 prill 2020) sipas orarit të njëjtë”, ka njoftuar Bajrami.

Mësimi online ka filluar që nga 23 marsi pasi virusi COVID-19 filloi të përhapet edhe në Kosovë.