Ilustrim - Foto: Bashkësia Islame e Kosovës

Myftiu Tërnava uron besimtarët katolikë

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava sot ka uruar Pashkët përmes një telegrami urimi, drejtuar Ipeshkëvit të Kosovës, Dodë Gjergjit.

Tërnava në telegram ka shkruar se te populli ynë festat fetare gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë.

Ai ka thënë tutje se festat na kanë bërë më humanë, më unikë e më të dashur dhe nëpërmjet këtyre vlerave edhe kemi ndërtuar një trashëgimi të pasur që për zanafillë ka respektin, dashurinë, mirëkuptimin, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë, themele këto mbi të cilat kemi ngjitur harmoninë e mirëkuptimin ndërfetarë që tani më janë vlera e dalluese të popullit tonë.

“I nderuari Ipeshkëv, zotëri Dodë Gjergji, me rastin e festës së Pashkëve kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të bashkëpunëtorëve të mi si dhe në emër të besimtarëve të besimit Islam t’u përcjell Juve personalisht, bashkëpunëtorëve tuaj si dhe të gjithë besimtarëve të besimit katolik urimet e mia më të sinqerta duke u dëshiruar gjithë të mirat e begatitë e Zotit. Uroj që edhe mesazhet dhe porositë që dalin nga festa e pashkëve të jenën si gjithherë në funksion të fisnikërimit të popullit tonë dhe gjithë popujve në botë”, ka uruar Tërnava.

Pashkët është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq./21Media