Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Haradinaj: S’guxojmë të japim data për liberalizimin e vizave

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë që nuk guxon të përmend data për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, ai ka thënë se Kosova është në rrugën e duhur.

“Po punojmë që me ndodhë. S’mundemi me garantu, dhe s’guxojmë me dhanë data se po na kritikojnë edhe këtu, edhe më larg. Do sinjale po i hetojmë, është e drejtë me ndodhë, por duhet ta trajtojmë me kujdes”, tha ai.

Tutje Haradinaj përshëndeti edhe votimin e dytë në Parlamentin Europian për çështjen e vizave për Kosovën.

“Shumë ka qenë mirë që është votuar prapë në Parlamentin Europian sepse nëse nuk do të votohej është dashtë me prit konsitituimin e Parlamentit të ri. Nuk hupim kohë, vota e dytë është pikërisht mos me hupë kohë, me këtë votë është mundësuar që edhe në qershor me ndodhë vendimi”, shtoi ai.

Haradinaj tregoi edhe çka u ka kërkuar delegacionit gjerman me të cilët pati takim mëngjesin e sotëm.

”Sot kishim vizitorë të rëndësishëm prej Berlinit. Mendoj që nuk jemi në drejtim të keq por vërtetë është shku shumë gjatë, e meritojmë me lëvizë lirshëm. Unë i kam siguruar çdoherë që as nuk shkojnë njerëzit refugjat e as nuk shkon krimi atje por vetëm mundësia e lëvizjes së lirë e njerëzve. Kemi nevojë për një vend sponzorizues, ne e kemi zor si Kosovë me shku te çdo kryeqytet”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se ka kërkuar nga mysafirët e sotëm gjermanë që Berlini të bëhet si sponzorizues, që t’ua shpjegojë qeverive të tjera se ka ardhur koha për liberalizim.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur një takim mëngjesin e sotëm me deputetët e Bundestagut gjerman, Peter Bauer dhe Christian Schmidt.

Pas takimit në Qeveri, Haradinaj e përmendi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, kurse gjermanët u shprehen kategorikisht kundër idesë për “shkëmbim territoresh”.