Haradinaj pret ‘lajm të mirë’ për vizat para Vitit të Ri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ka vështirësi në procesin e liberalizimit të vizave, teksa është shprehur optimist se vendi do të marrë një lajm të mirë këtë fund vit për lëvizjen e lirë.

“Duhet të bëjmë shumë punë në këtë proces. I kemi disa vështirësi para vetes. Në herë e kemi fokus 20 nëntorin për Interpol-in. Është mirë të rrimë të fokusuar në atë temë, pasi është më përpara. Unë mendoj që para ndërrimit të moteve do ta marrim një lajm të mirë sa i përket liberalizimit të vizave, por duhet të punojmë”, tha kryeministri, gjatë takimit në Komunën e Prishtinës me të parin e saj, Shpend Ahmetin.

Kryeministri gjithashtu kërkoi kujdes nga deputetët dhe zyrtarët politik në deklarimet për vizat.

“Më vjen mirë që shumë njerëz janë kyçur pozitivisht për vizat. I kisha lut të gjitha partitë politike, opozitare sidomos që ta ndihmojmë këtë proces. Imagjinoni sikur dikush të thotë se mezi po presim t’i marrim vizat dhe do të vijmë të ju, nuk është në rregull që këtë ta thotë ndonjë zyrtar, deputet, duhet të bëjmë kujdes”, tha Haradinaj.