Bujar Gjurgjeala. Foto: Facebook

Haradinaj: Prekës lajmi për vdekjen e Bujar Gjurgjealës.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Bujar Gjurgjealës.

“Prekës lajmi për vdekjen e Bujar Gjurgjealës, njeriu që udhëhoqi mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në të cilën u shpall Deklarata Kushtetuese e Dy Korrikut, 1990 që e avancoi statusin politik të vendit në Republikë”, thuhet në postimin e kryeministrit.

Ai tutje ka shkruar se do të kujtohet ndër breza puna dhe përkushtimi i Bujarit që me guxim e devotshmëri iu përgjigj thirrjes së epokës së tij, duke u bërë pjesë e historisë së re të vendit.

Bujar Gjurgjeala ka vdekur mbrëmë në moshën 72 vjeçare.

Gjurgjeala ishte deputeti i Kuvendit të Kosovës, i asaj përbërje që 28 vjet më parë shpalli Deklaratën Kushtetuese, që në histori tashmë njihet si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, me të cilën institucionalisht iu vunë themelet shtetit të pavarur të Kosovës.

Lajmin për vdekjen e tij e  ka bërë të ditur klubi basketbollistik “Bashkimi”, ku Gjurgjeala ishte kryetar.

Ata përmes një njoftimi kanë nderuar figurën e basketbollit prizrenas.

“Sot me shumë pikëllim pranuam lajmin që ndërroi jetë njëri nga figurat kryesore të basketbollit prizrenas z. Bujar Gjurgjeala. Ai përveç kontributit të palodhur dhe te vazhdueshëm në basketboll, ishte edhe një patriot që bëri shumë për  çështjen kombëtare. Ishte një mësues, një këshillues dhe bashkëpunëtor i shkëlqyer. Të qoftë i lehtë dheu, do të na mungosh!”, thuhet në njoftimin e klubit.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka shkruar në Facebook se Bujar Gjurgjeala ishte inspirim për të gjithë.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Bujar Gjurgjealës, deputetit të shquar të legjislaturës e cila nën masat e okupimit e shpalli Kosovën Republikë. Me 2 korrik para 28 vitesh, axha Bujar para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës dhe në kushte të rrethimit nga forcat policore e ushtarake, atëbotë deputetëve u patë lexuar deklaratën e pavarësisë. Për këtë veprim ai u përndjek gati për një dekadë, mirëpo guximi i tij inspiroi të rinjtë e të vjetër, për të këmbëngulur në të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Familjarëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh ngushëllime. U prefsh në paqe axha Bujar!”, ka shkruar Haskuka.

Varrimi i Bujar Gjurgjealës do të bëhet nesër (28 nëntor), në varrezat e Prizrenit, në orën 12:00.