Foto: ZKM

Haradinaj: Mbështetja e Vatikanit e rëndësishme në proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim delegatin apostolik për Kosovën, ShT Monsinjor Juliusz Janusz. 

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar delegatin apostolik për të arriturat e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, prioritet e Qeverisë, fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, si dhe për zhvillimin ekonomik. 

Kryeministri Haradinaj falënderoi përfaqësuesit e Vatikanit për takimin me Papa Françeskun gjatë vizitës në maj të këtij viti, duke e konsideruar si një prej vizitave më të rëndësishme gjatë mandatit të tij si kryeministër i vendit. 

“Kosova është e bekuar që përgjatë shekujve ka pasur harmoni dhe tolerancë fetare ndërmjet komuniteteve dhe besimeve të ndryshme, të cilën po e kultivon edhe në ditët e sotme”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e Vatikanit për të gjitha proceset zhvillimore dhe integruese të Republikës së Kosovës. 

Kryeministri Haradinaj tha se populli shqiptar i Kosovës ka dhënë figura të shquara të cilat i dhanë botës shumë nga vetja me humanizmin dhe veprat e tyre të jashtëzakonshme në shërbim të njerëzimit. 

Kryeministri Haradinaj, e ka njoftuar delegatin apostolik për angazhimin e Qeverisë për anëtarësim në NATO, Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. 

I deleguari i Vatikanit, i dhuroi Kryeministrit Haradinaj medalonin e Papa John Palit II dhe i përcolli letrën e Kardinalit Pietro Parolin, përmes së cilës, Kardinali Parolin i shprehë falënderim Kryeministrit Haradinaj për letrën drejtuar Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, njëherit shprehë edhe gatishmërinë për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dyja vendeve. 

“I deleguari i Vatikanit për Kosovën vjen me lajme të mira për vendin tonë. Sekretari i shtetit, Shkëlqesia e Tij, Parolin, i është përgjigjur një letre dërguar Atit të Shenjtë, përmes së cilës shprehu gatishmërinë që dialogu ynë të vazhdojë në të ardhmen, duke rezultuar me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Jam i bindur se kjo është shenjë e mirë dhe ne si Kosovë jemi të bekuar që kemi uratën dhe lutjet e Atit të Shenjtë për tërë popullin e vendit tonë”, tha kryeministri Haradinaj, pas takimit me delegatin apostolik për Kosovën, ShT Monsinjor Juliusz Janusz. 

Delegati apostolik për Kosovën, Monsinjor Juliusz Janusz, vlerësoi të arriturat në Kosovë përgjatë këtyre viteve sa ka qenë në shërbim për ta mbuluar Kosovën dhe vlerësoi përkushtimin e popullit të Kosovës dhe institucioneve për të përmirësuar jetën në Kosovë. Ai theksoi përkushtimin e  Selisë së Shenjtë për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën edhe në të ardhmen.  

Kryeministri Haradinaj me këtë rast, e ka nderuar Monsinjor Juliusz Janusz për rolin dhe kontributin e tij dhënë Kosovës, me medaljen e Skënderbeut. 

Në takim me kryeministrin Haradinaj, delegati apostolik për Kosovën, ShT Monsinjor Juliusz Janusz, shoqërohej nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.