Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Enver Zymberi dëshmori i parë i Republikës së Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka kujtuar në 7 vjetorin e rënies, heroin Enver Zymberi i cili ishte qëlluar për vdekje gjatë një aksioni për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

“Shtatë vjet më parë ra në krye të detyrës pjesëtari i Policisë së Kosovës Enver Zymberi, për t’u shndërruar në dëshminë më të fuqishme për ndjenjën reale të atdhedashurisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryeministri ka thënë se shërbimi deri në sakrificë sublime, në mbrojtje të Kosovës së pavarur, të rendit të saj kushtetues dhe simbolik, është udhërrëfyesi më i mirë për brezat, se si duhet përgjigjur thirrjes për t’i mbrojtur me besnikëri vlerat e atdheut.

“Enveri është ndër dëshmorët e parë të Republikës, që mbijetesën e saj e vë para çdo interesi tjetër. Rënia e tij dëshmon se themelet e kësaj Republike në tërësinë e saj janë të forta dhe si të tilla ato nuk mund të zhbëhen”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Policia e Kosovës ka paraparë që sot të zhvillojë disa aktivitete për të nderuar policin e rënë në aksionin që filloi më 25 korrik të vitit 2011.

Enver Zymberi ishte polic i Njësisë Speciale të Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002. Ai u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, afër pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Enver Zymberi u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit.