Ramush Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: E kemi menduar që paga minimale të jetë 239 euro

 Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se e kanë menduar se si pikënisje paga minimale në Kosovë të jetë 239 euro.

Megjithatë, ai shtoi se kjo çështje varet nga propozimi që do ta jap Këshilli Ekonomiko-Social.

“Kemi pas propozim që të rritet paga minimale, por nuk kemi ndërmarr veprim, pasi ky këshill s’ka pasur kuorum, mandati i ka dal dhe pa rikthimin e anëtarëve të këshillit, ka qenë vendim i pazbatueshëm dhe kjo ka paraqitur një seancë konfuze. I kam kërkuar ministrit Reçica para tri javësh që të emërohen anëtarët dhe të fuqizohet këshilli”, tha kryeministri në Interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj njoftoi se Këshilli Ekonomiko-Social do të konstituohet nesër, me datë 18 prill.

“Që nga dita e nesërme mundet t`i propozojë Qeverisë pagën minimale. Që i bie në javën tjetër, në mbledhje qeveria mundet të marr vendim për rritje të pagës minimale në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se kanë menduar që rrita të nis me koeficientin 1.

“Si orientim, si kryetar qeverie e kam menduar koeficientin 1 -239 për kategorinë nën 35 vjeç . Është një bazë  e nisjes që kish qenë e respektueshme megjithatë nuk kemi të drejtë ne me dhënë numra, sepse na vijnë propozimet dhe do t’i diskutojmë”, tha i pari i Qeverisë.

Kryeministri ka shtuar se sfidë në Kosovë përveç pagës minimale janë edhe kushtet e punës në sektorin privat.

Paraprakisht, deputeti i PSD-së, Visar Ymeri si parashtrues i kërkesës për interpelancën e kryeministrit në lidhje me mos caktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës, kërkoi që paga për të jetuar urgjentisht të ngritët në vlerën prej 250 euro.

“Propozojmë që ndarja moshore që parasheh ligji aktual me 130 euro pagë minimale për të rinjtë deri në 35 vjeç të hiqet menjëherë, pra ta kemi një pagë minimale për secilin të punësuar pavarësisht çfarë moshe e çfarë gjinie i takon. Niveli i ulët i pagës minimale i godet në mënyrë të veçantë gratë. Gjendja më e rëndë tek to është poashtu në sektori privat”, tha ai.

PSD propozoi që të drejtën për pagë për të jetuar duhet ta ketë secili punëtorë mbi moshën 18 vjeçare.

Ndërkaq, grupet parlamentare kërkuan që të harmonizojet paga minimale në vend.

Armend Zemaj, deputet i LDK-së tha se deputetët në vazhdimësi kanë kërkuar që punëtoret të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme.

Zemaj shtoi se paga mesatare e sektorit publik dhe privat duhet të harmonizohet.

“Ky dallim mes pagës mesatare në sektorin publik e privat duhet të harmonizohet me atë që është kërkesë elementare për jetë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. LDK do të ndihmoj në këtë proces do t’i jap argumentet e veta”, tha ai duke shtuar se paga në sektorin publik ka trajtim të dinjitetshëm në krahasim me të tjerët.

Safete Hadërgjonaj, nga PDK-ja tha se në momentin kur është përcaktuar paga minimale me ligj 130 dhe 170 euro nuk ka qenë përcaktim i mirë.

“Është mirë mos të përcaktohet në dy nivele por të ketë një pagë minimale. Nuk mund të bësh dallim në moshën e të punësuarve për të përcaktuar pagën minimale”, tha deputetja.

Kurse, Fatmire Kollçaku, nga LVV, tha se legjislacioni në fuqi nuk po zbatohet.

“Nëse flasim për paga ka pabarazi mes sektorit publik e privat”, tha ajo.