Ramush Haradinaj | Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Arrestimi i Gjuriqit Zbatim i Ligjit

Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës tha se arrestimi i Marko Gjuriqit ishte zbatim i ligjit.

Haradinaj aksionin e konsideroi jo të pëlqyeshëm dhe të pakëndshëm, por të nevojshëm.

Veprimi i djeshëm i arrestimit të Gjuriqit nuk ishte veprim i kandshëm apo i pëlqyeshëm prej nesh, por ishte zbatim i ligjit. Këtë e konsiderojmë si situatë standarde të respektimit të rendit e ligjit”, tha haradinaj, teksa tregoi se nëpërmjet kanaleve e kishin paralajmëruar Gjuriqin që të mos vinte dje në Kosovë.

Haradinaj gjendjen e sigurisë e vlerësoi të qetë dhe stabile.

Ai deklaroi se aksioni i mbrëmshëm nuk ishte kundër “qytetarëve serbë, ministrave a kryetarëve të komunave”.

Kryeministri tha se ishte në dijeni të veprimeve që po ndodhnin gjatë aksionit për arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Janë procedura standarde, MPJ ka marrë vendim. Në këtë rast aktivizohet ministria e rendit, normal kryetari i Qeverisë është në monitorim të gjendjes. Kam qenë çdo sekondë në dijeni për procesin”, tha Haradinaj.

Kryeministri e cilësoi të pakuptueshëm vendimin e Listës Serbe për t’u tërhequr nga qeveria vetëm për zbatim të ligjit.

Haradinaj e komentoi edhe paralajmërimin e serbëve për krijim të njëanshëm të Asociacionit të Komunave Serbe.

“Mendoj që është paralajmërim i ngutshëm e i damshëm. E pamë dje kur gjërat bëhen njëanshëm deri ku mundemi me shku. Nuk është mirë me sfidu pafundësisht durimin e dikujt. Është mirë me ju kthy tavolinëa. Jo njëanshëm, e jo me mohim”, tha Haradinaj.

Marko Gjuriq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë u arrestua mbrëmë në Mitrovicën Veriore pasi hyri pa leje në Kosovë.

Ai më pas u soll në Prishtinë dhe u depërtua nëpërmjet Merdarit.